Bumçi: Berisha ka një mal me vlerësime sa mali i Dajtit, “non grata” letër pa asnjë fakt, ne jemi proamerikanë

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD, Aldo Bumçi e konsideroi të pavlefshme shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga SHBA duke shtuar se ish-kreu i PD ka një numër të madh vlerësimesh sa mali i Dajtit. Ai kërkoi që SHBA të respektojë vendimet e demokratëve dhe qytetarëve shqiptarëve në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, referendumin e 18 dhjetorit 2021, zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit dhe të Gjykatës së Tiranës në 25 mars.“

‘Non grata’, kemi një mal sa ai i Dajtit me vlerësime për Berishën dhe një letër pa asnjë fakt, pa asnjë gjë. Raportet amerikane për qeverinë Berisha dhe qeverinë Rama nuk mund të krahasohen. Demokratët e votuan Berishën, nuk u votua vetë. Nuk është Berisha çështja. Po kërkoj të respektojnë vendimin e qytetarëve të një vendi demokratik”, tha Bumçi.

Më tej, ish-ministri demokrat shtoi se pavarësisht sulmeve të ambasadës së SHBA, PD zyrtare dhe mazhorancës se “Foltorja” është anti-amerikane, Komisioni i Rithemelimit është pro-vlerave demokratike të SHBA. Sipas tij, meqë DASH dhe ambasadorja Yuri Kim po ndërhyjnë në PD, kjo nuk do të thotë se parimet e demokracisë amerikane dhe dashuria e shqiptarëve për SHBA nuk ekzistojnë.

“Nuk mund të jetë amerikane shprehja ‘opozita është problemi’, kjo është diktatoriale. Diktaturat i duan opozitat të dobëta. Putin merret me opozitën, ka vrarë drejtuesit e saj. Ne jemi pro-amerikanë. Demokratët vijnë nga ato shtresa që dëgjonin VOA, që ishin të përndjekur. Proamerikanizmi nuk varet nga diçka që ata nuk kanë arritur të bindin asnjë shqiptar”, deklaroi Aldo Bumçi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT