Ça dreqin bëhet kështu?! Rama kërkesë SPAK-ut: Ka bazë apo jo “non-grata” e Sali Berishës! Nuk mund të mbetet pezull

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga Prokuroria Speciale SPAK, që të vihet në lëvizje për shpalljen “non-grata” të Sali Berishës. Sipas tij, institucioni i ri i drejtësisë duhet të thotë nëse kjo deklaratë ka bazë apo jo. Për këtë, Rama u nis nga dënimi me burg i ish-zv.ministres Rovena Voda.
“Ça dreqin bëhet kështu?! Ndërkohë që janë me dhjetëra të vrarët dhe të vdekurit nga politikanë që kanë emër dhe mbiemër. Të cilët rrotullohen në varr akoma në kërkim të drejtësisë. Pa llogaritur vjedhje kolosale të cilat deri tani vetëm SPAK-u nuk i di. Burgoset një grua për 10 kile peshk.
Ndërkohë që SPAK vihet në lëvizje dhe nga një deklaratë partie, kuptohet deklaratë e partive të tjera jo e jona, akoma nuk është vënë në lëvizje, të paktën unë nuk di se s’kam dëgjuar ta thotë nga deklarata më e rëndë që është bërë zyrtarisht në 30 vjet nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë. Jo për një njeri, por për krejt Shqipërinë është ajo deklaratë, se ai njeri ka drejtuar Shqipërinë.
SPAK ka një detyrim që e tejkalon shtetasin e ndalur të hyjë në Amerikë, se ajo deklaratë atje nuk mund të rrijë pezull. Ose ka bazë ose nuk ka bazë. Por këtë nuk e thotë dot politika e brendshme, as këtej e as andej. Se ajo deklaratë e mbetur pa përgjigjen e drejtësisë, për ata që kuptojnë dy gramë nga marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kuptojnë 1 gram nga pesha e marrëdhënies së Shqipërisë me SHBA, është gurë në qafën e Shqipërisë.
SPAK-u duhet t’ja heqë Shqipërisë këtë gurë nga qafa duke e ndarë, ka bazë apo s’ka bazë. Që shqiptarët edhe ata krejt pa tru, ta marrin mesazhin që ka bazë, ose s’ka bazë. Nga ana tjetër askush nuk duhet të humbasë durimin se Reforma në Drejtësi do të ndryshonte drejtësinë me magji”, u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.