Çfarë paralajmëron Ilir Meta, pas 25 korrikut?

Nga Mero Baze

Ilir Meta deklaroi se pas 25 korrikut, do t’i japë një dimension të ri opozitarizmit në Shqipëri.

Ai foli për aksionin e tij politik pas lënies së detyrës si president, por pa dhënë shumë detaje.

E sigurtë është që pas përfundimit të detyrës si president, Ilir Meta do t’i kthehet politikës aktive, edhe pse në fakt, ai nuk i është larguar kurrë asaj, pasi e ka përdorur gjatë gjithë kohës postin e presidentit, për të luftuar Edi Ramën dhe PS-në.

Madje ai u përfshi ethshëm edhe në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit.

Zgjedhje të cilat, edhe pse thotë se u humbën nga Basha, në fakt u humbën nga gjithë opozita, duke përfshirë dhe vetë atë, që bëri fushatë me kohë të plotë, por që rezultoi një dështim spektakolar, pasi LSI nga 19 deputetë që kishte, në 25 prill mezi mori 4 deputetë.

Tani Ilir Meta thotë se do të rikthehet e do të bëjë namin.

Se çfarë është në gjëndje të bëjë, të gjithë e kemi parë në fakt.

I vetmi kuriozitet është nëse do të rikthehet të drejtojë LSI-në apo do ta bashkojë partinë me PD-në e Berishës dhe do të marrë drejtimin e të dyja partive, duke parë edhe moshën e Berishës, por edhe hallin e përbashkët që kanë me SHBA dhe reformën në drejtësi.

Gjë tjetër nuk pritet nga ai. Vetëm nëse i vjen mandata nga SHBA dhe pastaj mban premtimin, se do të shkojë tek “Mali me Gropa”.(TemA)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT