FOTOT/ I mbani mend grushtat e Ilir Metës me policët bashkiakë te ish selia e PD? Aty po krijohej qendra e emergjencave civile

Kush i mban mend grushtat e Ilir Metës në katin e parë të ish selisë së Partisë Demokratike këtu e 1 vit më parë, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit?

Atje dje janë përuruar zyrat e reja të Qendrës Kombëtare të Emergjencave Civile.

Ishin po të njëjtat hapësira, në katin e parë të së njëjtës godinë ku Ilir Meta u grushtua me policët e bashkisë, që tani ishin shndërruar në një qendër moderne për koordinimin e situatave të emergjencës, ndryshe nga sa u tha atëherë se ato zyra i përkisnin Frymës së Re Demokratike të Sali Shehut.

Në fakt, Bashkia e Tiranës që në krye të herës kishte përcaktuar të vendoste aty një nga agjencitë më të rëndësishme të saj, atë për koordinimin e emergjencave civile, me financim të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim.

Gjatë inagurimit, Veliaj e kujtoi disi me të qeshur atë episod kur tha: “Sherri i famshëm me policët e bashkisë dhe punëtorët, i para një viti, ndodhi këtu, jo në një zyrë partie. Dua ta kaloj me humor atë incident, pasi tani e patë se këto nuk ishin zyra partie, por zyra e emergjencave civile”.

Me sa duket, Meta kishte ngatërruar zyrat e FRD-së me ambjentet e reja që, Bashkia e Tiranës dhe partnerët italianë, po përgatisnin për agjencinë e emergjencave civile të qytetit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT