“Jam elektron i lirë’/ Evi Kokalari u përgjigjet akuzave: Nuk jam njeri i karrigeve dhe i posteve

Aktivistja Evi Kokalari është bërë pjesë e fjalimeve të mbajtura ditën e sotme në podiumin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të thirrur nga Sali Berisha.
Në fjalën e saj Kokalari iu përgjigj akuzave që sipas saj kanë deklaruar se është shfaqur në krah të Berishës për të marrë një karrige.
Ajo ka konfirmuar se nuk synon të marrë asnjë post, pasi nuk është njeri i karrigeve por elektron i lirë.
“Personalisht më vjen turp kur shoh si ishte katandisur PD. Këshilli i zgjedhur sot ka një detyrë të mbajë premtimet që u keni dhënë njerëzve që PD do kthehet në parti konservatore.
Ata që më kanë akuzuar se kam ndihmuar për një karrige dhe për poste u them që nuk jam njeri i karrigeve.
Jam elektron i lirë. Nuk do jem pjesë e kryesisë së partisë dhe as e këshillit të Partisë Demokratike. Dua të them që nuk tërhiqni intelektualë nuk do shohim asnjëherë rezultate në këtë vend”, deklaroi Kokalari.
Kujtojmë se Kokalari ka qenë e pranishme që prej fillimit të foltoreve të ish-kryeministrit Sali Berisha teksa nuk ka nguruar të tregonte hapur preferencat e saj politike dhe mbështejten e flaktë për Partinë Demokratike./ Gazeta Shqip