Japonia dënon vrasjen e civilëve në Bucha, Macron kërkon bllokim total të naftës ruse

Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida denoncoi vrasjen e civilëve në rajonin e Kievit. Ai ju referua vrasjeve makabre në qytetin e Buchas, kur më shumë se 400 civilë janë gjetur të vrarë rrugëve, dis atë djegur e të tjerë gjysmë të varrosur.

“Jam thellësisht i tronditur nga fakti që në periferi të Kievit janë kryer mizori të tmerrshme kundër civilëve,” tha Kishida. “Vrasja e civilëve të pafajshëm shkel ligjin ndërkombëtar humanitar. Është absolutisht e patolerueshme dhe Japonia e dënon atë në termat më të ashpër.”

Kryeministri japonez gjithashtu bëri thirrje për veprim duke thënë: “Rusia duhet të mbahet rreptësisht përgjegjëse për ato akte”. Edhe presidenti i Francës, Macron ka reaguar ashpër për këto krime të Rusisë, duke kërkuar bllokim total të importeve të qymyrit dhe naftës.

Duke folur të hënën në transmetuesin francez France Inter, Macron tha se ka “shenja shumë të qarta” se krimet e luftës janë kryer në Bucha dhe, “është mjaft e vërtetuar se është ushtria ruse” ajo që është përgjegjëse për to.

“Ata që qëndrojnë pas këtyre krimeve duhet të përgjigjen për to,” tha ai. “Ne duhet të dërgojmë sinjalin shumë të qartë se është dinjiteti ynë kolektiv dhe janë vlerat tona që ne mbrojmë,” shtoi ai. “Nuk ka paqe pa drejtësi.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT