“Krishti u ngjall!” Besimtarët katolikë kremtojnë sot Pashkët, kuptimi i veçantë i kësaj feste të shenjtë

Besimtarët katolikë kremtojnë ditën e sotme Ringjalljen e Krishtit.
Të shtunën mbrëma në të gjitha kishat katolike të vendit u mbajt mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve, me ritet përkatëse. Ndërkohë që mesha në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet nisi në orën 23.00, pas dy vitesh mungesë për shkak të rregullave anti-covid.
Pashka është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas kryqëzimit të tij.
Një urim i veçantë për besimtarët e krishterë ka ardhur nga Imzot Arjan Dodaj.
Arqipeshkvi i dioqezës së Tiranë e Durrësit u bëri thirrje qytetarëve që të lënë mënjanë urrejtjen e mllefin në këtë ditë feste. Një mesazh të veçantë ai kishte edhe për luftën në Ukrainë, si dhe institucionin e shenjtë të familjes.
Ndërkohë që simbol i kësaj feste mbetet veza e kuqe dhe buka e Pashkës. Ky ritual bëhet në mënyrë që të marrin bekimin e Zotit për ushqimet e familjes.
Pashkët, kremtohen tek besimtarët katolik si ringjallja e Krishtit, ku përgatitja nis me 7 javëshin e Kreshmeve dhe mbyllet me meshën e Vigjiljes së Pashkëve, pritjen e ringjalljes së Jezusit.
Po çfarë janë Pashkët?
Pashkët shënojnë ngjarjen më të rëndësishme të krishterimit, ringjallja, e cila përcjell për të gjithë botën mbarë, simbolikën e ngadhënjimit mbi të keqen. Kujtimi i ringjalljes së Krishtit është një mënyrë për të ripërtëritur shpresë e përditshme të fitores mbi mëkatin.
Pashkët, të cilat festohen të dielën pas hënës së plotë të ekuinoksit pranveror, kanë ndikim të veçantë te besimtaret e krishterë jo vetëm shpirtëror, por dhe fizik, teksa shënojnë dhe finalizimin e agjërimit të kreshmeve.
Simboli i Pashkëve është veza, si simbol i jetës, e cila e lyer me ngjyrën e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit. Jeta e re, e cila nis me ditën e Pashkëve për çdo familje krishtere, lë pas mëritë, nxit faljen, dashurinë dhe ndihmën ndaj të afërmve në vështirësi, të sëmurëve dhe të varfërve, duke i kujtuar njeriut rolin e vete sipas urdhëresave të Zotit./ Gazeta Shqip