“Ky është gjenocid!”/ Presidenti ukrainas: Fajtorët do të futen në Librin e Ekzekutuesve dhe do të ndëshkohen

Prej më shumë se një muaji, Ukraina ndodhet nën pushtimin e forcave të presidentit rus, Vladimit Putin. Disa qytete të Ukrainës janë shkatërruar dhe kanë mbetur të vrarë mijëra njerëz.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensku, e ka përshkruar pushtimin rus të vendit të tij si “torturë të të gjithë kombit”. Teksa fliste për CBS News të dielën mbrëma, ai u shpreh se populli i Ukrainës nuk dëshiron të nënshtrohet nga Rusia dhe si rezultat po shkatërrohet dhe shfaroset.
I pyetur drejtpërdrejt nëse veprimet e Rusisë përbëjnë gjenocid, ai tha: “Në të vërtetë, ky është gjenocid. Eliminimi i të gjithë kombit dhe popullit. Ne jemi qytetarët e Ukrainës. Ne kemi më shumë se 100 kombësi. Kjo ka të bëjë me shkatërrimin dhe shfarosjen e të gjitha këtyre kombësive”.
Ndërkohë përmes një videomesazhi drejtuar popullit të tij mbrëmë, Zelensky tha se; “e keqja ka ardhur në tokën tonë”, duke shtuar se “çdo krim i pushtuesve në territorin e shtetit tonë” do të hetohej.
“Të gjithë fajtorët për krime të tilla do të futen në një Libër të veçantë të Ekzekutuesve, do të gjenden dhe do të ndëshkohen”, tha ai.