MISTERI që ka ‘pushtuar’ Rusinë/ Si po zhduken një nga një oligarkët e Putin

Një shqyrtim më i hollësishëm i autoriteteve pas vdekjes së oligarkut rus të gazit, Sergey Protosenya ditë më parë, bëri që të kthehej vëmendja tek vrasjet apo vetëvrasjet e ngjashme.
Dhe ajo që bie në sy është se këto figura janë të lidhura me rrethin e ngushtë të Presidentit rus, Vladimir Putin.
Dy rasteve të vetëvrasjes së dyshuar të drejtuesve të lartë të industrisë ruse të gazit, i është shtuar edhe dyshimi i lidhjes me dy raste të tjera të ndodhura më herët gjatë vitit.
Dy biznesmenë të pasur u gjetën të vdekur së bashku me anëtarët e familjeve të tyre këtë javë në Madrid dhe Moskë, por tani po ngrihen dyshime për dy figura të tjera të lidhura me Kremlinin që vdiqën në fillim të këtij viti.
Të martën, trupi i Sergey Protosenya, 55 vjeç, u gjet i varur jashtë një vile spanjolle, me gruan e tij Natalia, 33, dhe vajzën e tyre adoleshente Maria, të gjetur të vrarë me sëpatë brenda.
Hetuesit fillimisht supozuan se Protosenya, i cili kishte një pasuri prej 330 milionë paundësh, kishte vrarë veten në vilën Lloret det Mar në Costa Brava.
Por raportet lokale thanë se provat nuk tregojnë përfundimisht drejt këtij shpjegimi.
Po ashtu disa ditë më parë, trupi i Vladislav Avayev, 51 vjeç, u gjet në apartamentin e tij elitar në Moskë së bashku me gruan e tij Yelena, 47 vjeçe dhe vajzën e tyre Maria, 13 vjeç, në një tjetër vrasje-vetëvrasje të dukshme.
Në të dyja rastet ka dyshime se vdekjet mund të jenë inskenuar si vetëvrasje, por detektivët janë ende duke hetuar.
Por ka edhe dy vdekje të tjera të drejtuesve të njohur të industrisë së gazit këtë vit, të cilat kanë ngjallur dyshime.
Më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë, trupi i Aleksandër Tyulakov, 61 vjeç, një zyrtar i lartë financiar dhe sigurie i Gazprom në nivel zëvendësdrejtor të përgjithshëm, u zbulua nga e dashura e tij.
Ai ishte varur në shtëpinë e tij prej 500,000 £. Megjithatë, raportet thonë se ai ishte rrahur keq pak para se “t’i merrte jetën vetes”, siç u pretendua.
Në rajonin e Leningradit tre javë më parë, u gjet edhe Leonid Shulman, 60 vjeç, shef i transportit në Gazprom Invest, i cili u gjet i vdekur me plagë të shumta me thikë në një pellg gjaku në dyshemenë e tij të banjës.
Në skenën e krimit u gjet një shënim, përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur dhe Komiteti Hetimor Rus thuhet se refuzoi të diskutonte mbi rastet.