Paketa e Alibeajt për bashkimin e PD-së/ Berisha: Është nul, i shtiva dorën por më refuzoi

Ish-kreu i Partisë Demokratike ka komentuar paketën e paraqitur nga Enkelejd Alibeaj për bashkimin e demokratëve.
Berisha ka zbuluar se pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që njohur statutin e Komisionit të Rithemelimit, personat e parë që ka takuar ishin Alibeaj dhe Gazment Bardhi. Por sipas Berishës, Alibeaj k refuzuar bashkëpunimin. Ai shtoi se kjo paketë është e pavlefshme, pasi Alibeaj nuk ka më asnjë tagër të firmosë në emër të PD.
“Pas vendimit të gjykatës së Tiranës njeriun e parë që kam takuar që kam shtrirë dorën ka qenë Alibeaj dhe Gaz Bardhi. U ula më së pari me ta për të dhënë mesazhet e shkëputjes nga një periudhë jo normale të partisë dhe përçarje të PD. Njeriu që e krijoi u largua duke marrë të gjitha përgjegjësitë. Por kjo ofertë gjeti refuzimin e zotit Alibeaj. Alibeaj jo vetëm refuzoi ofertën por i urdhëruar nga Rama nëpërmjet Bashës siç e tha vetë Basha në Shkodër, paditi PD në gjykatë. Tani më lejoni t’u bëj me dije se padia e tij është absolutisht nul. Kodi i procedurës civile përcakton në mënyrë të kristaltë se kush mund të paraqesë ankim ndaj një vendimi gjykate. Përveç kësaj Alibeaj s’ka asnjë tagër të firmosë një dokument përveçse për kohën që njihej si kryetar i grupit parlamentar. Kryetari i PD dha dorëheqjen. Tani kryetar është vetëm 1 komisioni i rithemelimit”- tha Berisha.