“Presidenti, jo nga kuvendi”/ Rama ndërpret ëndrrën për deputetët, majtas e djathtas. Por..

Kryeministri Edi Rama është ndjekës i rregullt i Netflix, por në parlamentin ku ai kontrollon shumicën, ai nuk ka nevoje të flasë për ndonjë serial politik. Mjaft të tregojë përvojat e tij, kryesisht te dështuara, për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Socialistëve, u mungon një president prej çerek shekulli, por kryeministri i zhgënjeu sot. Tradita e një presidenti jo të majtë do të vazhdojë.

“E kemi detyrim ndaj vendit, që t’i japim mundësisht një president i cili nuk duhet të jetë njëri nga ne që jemi këtu, nga ju jo e jo kuptohet, por as nga ne që jemi këtu dhe patjetër kemi dhe një detyrim që sidoqoftë pavarësisht se në këtë derexhe ku jeni katandisur”.- tha Rama sot në parlament.

Ky qëndrim i  kryeministrit nëse nuk do të ndryshojë në ditët e ardhshme, ia shuajti shpresat aspirantëve të vjetër e të rinj brenda PS-s për tu bërë president.  Sikurse dogji propozimet e deputetëve të tij shumica të cilëve sytë i kishin nga besnikja dhe katolikja  Lindita Nikolla.

Por ka një gjë që kryeministri nuk e ndalon dot.

Sindromën presidenciale.

Ethet e vetëkandidimeve për kryetar shteti, kanë kapur, portalet, fejsbukun dhe kanë kapërcyer oqeanet.

Nga përtej atlantikut, shoqata Vatra ka mbështetur Dritan Demirajn, kolonelin që u bë ministër në 2017.

Tregtarët italiane, kërkojnë Përparim Kalon.

Elena Kocaqi flet për sakrificën që është  gati ta nisë nga ‘Facebooku’, e ta mbarojë në presidencë.

Por ka dhe nga ata qe sfidën nuk e kane me Ilir Metën, por me Vladimir Zelenskin.

I pari dhe më origjinali Genard Hajdini. Ish student në SHBA, i cili u bë i famshëm me komentet dhe analizën e tij gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale amerikane duke u kthyer në mbështetësin e zjarrtë të Trump.  Në kushtet kur Trump humbi Genardi kërkon të triumfojë drejt presidencës shqiptare duke ndjekur moton “Kap Momentin”.

Njëri më serioz se tjetri por të bindur me veten e tyre se ata janë të duhurit për ti a bërë më të lehtë e pa lodhje Edi Ramës gjetjen e kandidaturës për president.

Amerikanët mund të kenë dëshirë  për naltmadhninë e re, por nëse Edi Rama mendonte se shpëtoi nga ai që e quante Naltmadhnia i parlamentit ish deputeti Kujtim Gjuzi është gabuar.

Zoti Gjuzi një konkurrent i fortë i avokat Ngjelës për Londrën dhe Churchillin, pasi shkëlqeu ne parlament me batuta inteligjente me kryeministrin tonë modest, tashmë ka ambicien të jetë një shkallë më sipër mbi Ramën në hirarkinë shtetërore të Republikës.

Por kryeministri i pasionuar pas gradaçelave, sot ka përballe edhe një ambientalist të thekur. Ai është Selami Jenisheri ish deputeti listës Basha, i cili udhëton vetëm me biçikletë dhe thotë se ka edhe besimin e pënsionistëve.

Selami Jenisheri nuk është i vetmi në aleancën serioze dhe jeshile të kandidatëve për kryetar shteti. Sazan Guri tashmë e ka nisur fushatën e tij presidenciale në rrjetet sociale. Ai thotë se do të shkojë në presidencë  ti  mësojë  të pamësuarve, atë çfarë mund të ndodh, duke i dhënë vendimmarrësve arsye sesi mund ta rregullojnë atë që ndodh.

Një top talk i vërtetë. Tani tema e emrit me shumë sesa e presidentit ka kapur të gjithë shoqërine civile. Dhe atë ushtarake.

Telenovela presidenciale 2022 ka hyrë në fazën më interesante. Të propozuar, të vetë ofruar, te mbyllur ne zarfe, por më shumë në sirtarët e ëndrrave të një liste shumëngjyrëshe personazhesh. Të paktën sot Edi Rama i beri një nder socialisteve. E hoqi delirin presidencial, nga selia blu dhe selia roze. Si në një  anekdotë të  famshme: Nuk ka rëndësi ta kesh vetë. Rëndësi ka ti heqësh lopën komshiut./ Top Channel

Back to top button
LAJMET E FUNDIT