“Shqiptarët të shikojnë tek e ardhmja”/ Escobar “shuplakë” Berishës: Po ndjek retorikë përçarëse

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ka komentuar  zhvillimet në Partinë Demokratike në vendin tonë, ndërsa u shpreh qartë se Shqipëria duhet të lërë pas të shkuarën.

Në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, Escobar u shpreh kundër Berishës,  të cilin e akuzon se po ndjek “një retorikë jashtëzakonisht përçarëse dhe antiamerikane”. Sipas tij retorika e Berishës “zëvendëson në mënyrë të pabesueshme atë aspekt që shqiptarët lanë pas në të kaluarën, korrupsionin dhe përçarjen”.

“Shpresoj që anëtarët e PD-së dhe populli shqiptar të lënë pas të kaluarën dhe të shikojnë tek e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni  karakterizonte pikëpamjen e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë.”- tha ai.

Si një prej njohësve më të mirë të çështjeve të Ballkanit në Departamentin amerikan të Shtetit, Escobar këmbënguli se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Zyrtari i lartë e cilëson anëtarësimin e rajonit në BE si domosdoshmëri për të sjellë siguri dhe stabilitet për të gjithë Europën.

“Kriza e Ukrainës na kujtoi dhe një herë përse SHBA dhe BE kanë nevojë për njëra-tjetrën”- tha ai. “Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Partinë Demokratike.  Një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Është e trishtueshme ajo që i ndodhi PD në këtë moment.”– shtoi Escobar.

Ai shprehu më tej shqetësimet mbi ndikimin që mund të kenë në rajonin e Ballkanit vendet e treta duke pasur këtu parasysh Rusinë dhe Kinën, ndërsa nuk përfshiu këtu Turqinë, për të cilën kujtoi se është anëtare e NATO-s dhe ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT