“Sulm terrorist”/ Autoritetet e Kosovës në ALARM, sulmohet me granata dhe kallash policia në veri

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se policia e vendit në veri është sulmuar gjatë natës nga persona të paidentifikuar.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës në veri të vendit është sulmuar me granata dore si dhe me kallashnikov, teksa është nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare. Sulmi është cilësuar si një akt terrorist.
“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të nisur ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Ministri Sveçla ka treguar po ashtu se kjo nuk është hera e parë që policia në veri sulmohet, teksa grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë.
“Tentim-sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale, në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e së premtes, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”- tha ai.
Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.