Sulmet ndaj policisë kosovare në veri/ Berisha: Vuçiç do të destabilizojë rajonin për të…

Ish-kryeminstri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me sulmet e ndodhura në veri të Kosovës, ndaj zyrave të policisë që ndodhen atje.
Berisha, nëpërmjet një postimi në Facebook, i dënon këto sulme ndërsa akuzon Vuçiç se kërkon të provokojë dhe të destabilizojë rajonin për të krijuar projektin e tij të “Serbomadhisë”.
“Sulmet kriminale të bandave të Beogradit urdhërohen nga serbomadhi Vuçiç! Të dashur miq, pas agresionit barbar rus ndaj Ukrainës, Beogradi ka organizuar falanga banditësh dhe ka ndërmarrë me to, në mënyre të përsëritur sulme kriminale dhe terroriste ndaj patrullave të policisë së Kosovës në veriun e vendit.
Me këto sulme Vuçiç kërkon të provokojë konflikt dhe destabilizim dhe të vazhdojë kështu projektin e tij të Serbomadhisë.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këto akte të përsëritura kriminale ndaj policisë së Kosovës dhe kërkoj ndërprerjen e tyre të menjëhershme. Sb”, shkruan Berisha.