U arrestua si agjent iranian me mision në Shqipëri, SPAK dërgon për gjykim “përgjuesin e muhaxhidinëve”

Iraniani Bijan Pooladrag akuzohet se ka kryer shërbime për personat e shpallur si “organizata terroriste” si dhe ka kryer përgjime të paligjshme. SPAK njoftoi të premten se ka mbyllur hetimet dhe e ka dërguar çështjen për gjykim.

“Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal është dërguar për gjykim i pandehuri Bijan Pooladrag (shtetas nga Irani), pasi akuzohet se ka konsumuar elementet e veprave penale, “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur  organizata terroriste”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Keqpërdorimi i pajisjeve”, parashikuar nga nenet  230/ç ,234/a/2, 293/a/1, 293/b/1, 293/c/1 dhe 293/ç të Kodit Penal,” – bëri të ditur SPAK.

Pooladrag u arrestua në tetor 2020 nën dyshimin se ishte një agjent iranian me mision për të vrojtuar grupin e MEK, një organizatë opozitare iraniane në ekzil, e cila ka selinë aktualisht në Shqipëri pas evakuimit nga Iraku me ndërmjetësimin e amerikanëve.

“Organizata e Popullit Muhaxhidin të Iranit” është themeluar në vitet ’70 si një opozitë e majtë ndaj regjimit të mullahëve. Organizata u zhvendos në Irak gjatë Luftës Irak – Iran dhe u klasifikua si organizatë terroriste.

Ajo u çarmatos pas pushtimit amerikan të Irakut ndërsa një pjesë e anëtarëve u zhvendosën në Shqipëri me ndërmjetësimin e amerikanëve.

Policia e Shtetit njoftoi në vitin 2019 se kishte dyshime se persona të agjenturës iraniane kishin përgatitur ndërmarrjen e sulmeve terroriste në territorin e Shqipërisë.

Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur është një vepër penale që dënohet me 4 deri në 10 vjet burg ndërsa përgjimi i paligjshëm dënohet me 7 deri në 15 vjet burg.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT