Ultimatumi SHBA-së: Hapni sa më shpejt negociatat me Tiranën, mbështesim fuqimisht…

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe se vendi i ka kryer të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim në Union.
Ndër të tjera në fjalën e saj zyrtarja amerikane theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratat e vendit tonë dhe presin hapjen sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm aspiratat tuaja dhe dëshirojnë që sa më shpejt të jetë e mundur një konferencë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ju keni përfunduar detyra të vështira duke përmbushur reformat e nevojshme dhe meritoni të ecni përpara.
E kemi thënë edhe më herët, e them dhe tani: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE. Integrimi juaj do të kontribuojë për një stabilitet më të madh në Ballkan dhe një prosperitet më të madh në Evropë,” ka thënë Donfried.