VIDEO/ “S’do jetë terminal autobusësh për foltorexhinjtë”- Rama publikon pamjet 3D nga projekti i “Sheshit të Flamurit” në Vlorë

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë mëngjesin e sotëm një video nga projekti “Sheshit të Flamurit” në Vlorë për të cilin qytetarët vlonjatë dolën dje në protestë.
Në mesazhin e tij Rama shkruan se do t’i shtojë Vlorës një tjetër pjesë të bukur të mozaikut të Rilindjes së saj Urbane, ku do të dalin në pah sipas tij objektet e historisë në atë shesh.
“MIRËMËNGJES
dhe me Sheshin e Ri të Flamurit, i cili do t’i shtojë Vlorës një tjetër pjesë të bukur të mozaikut gjithnjë e më tërheqës të Rilindjes së saj Urbane, ku do të mësyjë gjelbërimi, ku do të dalin në pah me të gjithë shkëlqimin e tyre objektet e historisë në atë shesh, ku një qilim i kuq prej guri do të lidhë monumentin e Pavarësisë me “tempullin” hijezues që do të shërbejë për panaire, ekspozita, shfaqje artistike e të tjera (po vetëm si terminal autobuzësh për foltorexhinjtë jo) dhe ku fantazma e ish-hotelit do të kthehet në qendrën më të madhe social – kulturore të vendit për të gjitha moshat, pa harruar aksin e rikonceptuar që lidh edhe varrezat e dëshmorëve me monumentin e Pavarësisë përmes kolonatave të “tempullit” hijezues, ju uroj një ditë të mbarë”– shkruan Rama.