A përfshihet Shqipëria në hakmarrjen e Putin?

Të martën e 3 majit, Kremlin-i zyrtar publikoi një urdhër ekzekutiv për “masat e posaçme ekonomike hakmarrëse”.

Kjo, në lidhje me veprimet “jomiqësore” të disa shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare.

“Ky Urdhër Ekzekutiv u nënshkrua për të mbrojtur interesat kombëtare të Federatës Ruse në përgjigje të veprimeve jomiqësore, të cilat bien ndesh me ligjin ndërkombëtar, të ndërmarra nga SHBA-të dhe të bashkuara nga shtete të tjera të huaja dhe organizata ndërkombëtare, dhe që synojnë privimin e paligjshëm të Federatës Ruse, qytetarët e saj dhe personat juridikë për të drejtat e tyre pronësore dhe/ose kufizimin e të drejtave të tyre pronësore”, shkruhet fillimisht në dekretin e firmosur nga presidenti rus Vladimir Putin.

Në mes të pushtimit rus të Ukrainës, pikërisht më 7 mars, Putin do të miratonte një listë të vendeve dhe territoreve që kryejnë veprime “jomiqësore” kundër Rusisë. Mes tyre renditej edhe Shqipëria.

Pra, mbetet për të kuptuar nëse kjo masë e posaçme ekonomike do të hyjë në fuqi edhe në këtë rast ndaj Shqipërisë si një vend jomiqësor në listën e Federatës Ruse.

Urdhri ekzekutiv
Sipas urdhrit të Putin-it, masat e veçanta ekonomike do të zbatohen edhe ndaj disa personave juridikë, individëve dhe organizatave nën kontrollin e tyre, duke filluar nga dita e hyrjes në fuqi të Urdhrit Ekzekutiv.

Dokumenti prezanton një ndalim për autoritetet qeveritare në të gjitha nivelet, si dhe organizatat dhe individët nën juridiksionin e Federatës Ruse.

Urdhri Ekzekutiv gjithashtu ndalon kryerjen e operacioneve financiare, përfituesit e të cilave janë individë nën sanksione.

Për më tepër, dokumenti vendos një ndalim për eksportimin e produkteve ose lëndëve të para të prodhuara ose të nxjerra në Rusi ndaj shteteve apo individëve të sanksionuar.

Qeveria është udhëzuar që brenda dhjetë ditësh të miratojë listën e personave nën sanksione dhe të përcaktojë kritere shtesë për transaksionet, zbatimi dhe detyrimet e të cilave do të ndalohen me Urdhër Ekzekutiv.

Vendet jomiqësore
Në listën e shpallur, renditeshin shtetet që vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të pushtimit në Ukrainë.

Përkatësisht, lista përfshinte: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Kanadanë, shtetet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Shqipërinë, Andorrën, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon, Maqedoninë e Veriut, gjithashtu dhe Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Zelandën e Re, Singaporin dhe Tajvanin.

“Qeveria vuri në dukje se, sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij, që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do të jenë në gjendje t’i paguajnë ato në rubla”, shkruante agjencia ruse e lajmeve TASS.

Lista vinte pas një dekreti presidencial të nënshkruar më 5 mars.

Kjo e fundit lejonte qeverinë, kompanitë dhe qytetarët rusë të paguajnë borxhet në valutë të huaj./Albanianpost.com

Back to top button
LAJMET E FUNDIT