Afera 700 mijë USD/ Presidenca reagon pas artikullit në gazetën austriake: Shpifje dhe gënjeshtra të fabrikuara

Akuzat e publikuara sot në gazetën më të madhe të Austrisë për Ilir Metën, Presidenca i konsideron si shpifje dhe gënjeshtra të fabrikuara. Reagimin e ka bërë në Facebook, zëdhënësi i Metës Tedi Blushi.
“Presidenti i Republikës, Ilir Meta është njohur sot me një shkrim pa autor të publikuar në gazetën austriake “Kronen Zeitung”, artikull që përmban veçse shpifje dhe gënjeshtra, të hershme dhe të konsumuara prej vitesh.
Këto shpifje, mjerisht të fabrikuara dhe të hedhura në tregun mediatik edhe kohë më parë, e kanë marrë përgjigjen shumë të qartë dhe në mënyrë asgjësuese, që në prill të vitit 2018. Edhe kjo përpjekje e radhës, e rifabrikuar në mënyrë qesharake dhe vulgare, do të marrë përgjigje përpara drejtësisë austriake.
Presidenti i Republikës, ka autorizuar stafin dhe mbrojtësit ligjorë, që të përgatisin menjëherë padinë “Për përhapjen e të dhënave të pavërteta”, “Shpifje”, “Cenim të imazhit publik”, që në këtë rast cenon rëndë edhe interesat e larta shtetërore”, shkruan Blushi.
Artikulli
Gazeta më e madhe austriake “Kronen Zeitung” ka zbuluar një histori korruptive ku protagonist është Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Sipas gazetës, kjo histori mund të trondisë politikën shqiptare.
“Një informator i cili u fsheh në Austri për shkak të kërcënimeve me vdekje rëndon pozitën e kreut të shtetit të Shqipërisë. Një rol të rëndësishëm në këtë histori luan edhe ceremonia e inaugurimit të Donald Trump,” shkruhet në artikull.
Bëhet fjalë për historinë e një denoncuesi që kërkon mbrojtje në Austri nga kërcënimet me vdekje që ai ka marrë, pasi zbuloi një aferë të Presidentit Shqiptar.
Në gazetë shkruhet se Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote, që të siguronte një foto në ceremoninë e inagurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.