Askush nuk u revoltua, nuk çoi zërin, as 20 vjeçarët që më shoqëronin! Shënim pas ikjes së dritave të premten në Teatër

Nga Edona Llukaçaj

Botuar në DITA

Me studentët e mi kishim vendosur që të premten të ndiqnim në teatrin Metropol “FLI”, rivënien në skenë me një qasje bashkëkohore të “Ifigjinia në Aulidë” të Euripidit.

Pak minuta para se shfaqja të fillonte dhe pasi publiku, ku nuk mungonin as emra të spikatur të artit shqiptar, kishte filluar të hynte në sallë, energjia elektrike u ndërpre. Të mësuar të manovrojnë nën kushte të vështira, të pranishmit gjetën vendet e veta nën ndriçimin e zbehtë të celularëve dhe u ulën të presin.

Njoftimet me zë të dridhur të stafit se avaria mund të mos zgjidhej menjëherë e, më pas, se nuk do të zgjidhej dot dhe se ishin të gjithë të mirëpritur të ndiqnin shfaqjen një nga dy ditët në vijim, ose, në të kundërt, biletat do rimbursoheshin aty për aty, u prit me qetësi.

Edhe pse të gjithë ishim të ndërgjegjshëm se ndërprerja e energjisë elektrike në teatër ishte diçka që nuk varej drejtpërdrejt nga organizatorët e shfaqjes, mirëkuptimi i publikut “të pamundur” ishte impresionues. Askush nuk u revoltua, nuk çoi zërin. As njëzet vjeçarët që më shoqëronin nuk kërkuan të dinin të paktën pse-në e defektit.

Salla u boshatis me shpejtësi dhe pas disa minutash në këmbë te trotuari para teatrit, si për të respektuar shfaqjen e ‘flijuar’, njerëzit u shpërndanë.

Do doja fort të besoja se mosshprehja e pakënaqësisë së një publiku të tërë ishte veçse prej etikës që mbizotëronte mbi revoltën. Por thellë thellë jam e bindur se arsyeja e mosreagimit ndaj çudisë së një shfaqjeje të anulluar me publik në sallë ishte se jemi të mësuar me pak, me mungesë, me zhgënjim. Na prek më sipërfaqësisht e pabukura. Na është trashë lëkura. Nuk na impresionon e keqja.

E dimë se dritat, uji e të tjera domosdoshmëri për një jetë normale nuk janë të mirëqëna për ne as kur paguajmë me përpikmëri faturat. Dhe e dimë se nuk flitet për mungesën e tyre vetëm prej luftës në Ukrainë apo prej thatësirës.

Prandaj mosreagimi ishte një shëmbëlltyrë e mirëfilltë e pranimit katërcipëror të së pamerituarës së kthyer në mënyrë jetese. Një shfaqje teatrale dosido nuk ben përjashtim.

Në fakt, është në një linjë me rastin e asaj banores në një zonë ku tubacionet e dëmtuara, prej disa ditësh, kishin ndërprerë funizimin me ujë, që, gjithsesi vinte në orare të caktuara. Zonja, me droje para mikrofonit të gazetarit thoshte se uji nuk duhet veç një herë në ditë por dy- tre. Padyshimin, funizimin pa ndërprerje duhet ta konsideronte luks të madh!

Me siguri, nuk u reagua edhe pse anullimi i një shfaqjeje nuk është aq tragjik e jo aq në kohë sa loja e shëmtuar që u vu në skenë në Kuvendin e Shqipërisë, një ditë më parë. Kur dhimbja e Srebrenicës, aq e afërt dhe reale, mbllaçitet pafytyrësisht për agjendat parake të politikanëve tanë, tallja me flijimin e Ifigjinisë antike nuk mund të përbëjë problem.

Por mbi të gjitha, mungesa e reagimit është shenjë alarmuese e mendësisë së të dorëzuarit. Lodhja nga të ndërmarrit qëndrime që nuk shërbejnë për gjë, nënshtrimi ndaj idesë se nuk ke asgjë në dorë, përpos mosdakordësisë së heshtur ose largimit.

Një mendësi që është ushqyer nga pushtetarët përtej kahut dhe i tregon rrugët kujtdo që pretendon të ketë një jetë normale. Njerëzit të zakonshëm që duan t’i rrjedhë ujë nga rubineti, që duan një jetë ku të bën përshtypje se një shfaqje në mes të kryeqytetit anullohet se ikin dritat, thjesht, duhet të ikin ose të mësojnë nga e para reagimin.

——

FOTO: Pjesë nga shfaqja FLI në teatrin Metropol

Back to top button
LAJMET E FUNDIT