Astrit Patozi: Ja si do ta kujtoj unë Bujar Nishanin

Ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka shprehur mesazh ngushëllimi për vdekjen e ish-Presidentit Bujar Nishani në një spital në Gjermani.
Përmes një postimi në Facebook, Patozi shkruan se do ta kujtojë Nishanin si “shokun e parë të bankës në parlament”, ku kanë ndarë bashkë çdo ngjarje të rëndësishme politike të vendit tonë.
Postimi i plotë i Astrit Patozit:
SI DO TA KUJTOJ BUJAR NISHANIN
Bujar Nishanin do ta kujtoj më shumë si shokun e parë të bankës në parlament, ku u ulëm njëkohësisht pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2005.
Kemi ndarë bashkë pothuajse çdo ngjarje të rëndësishme politike të mazhorancës parlamentare të asaj kohe, që më sjellin ndërmend sidomos sensin e detyrës dhe përkushtimin e tij absolut.
Më pas rrugët tona “u ndanë” për shkak të karrierës në ngjitje të Bujarit, që kulmoi me zgjedhjen e tij si President i Republikës.
Sot që mora vesh lajmin e hidhur të ndarjes së parakohshme nga jeta të Presidentit Nishani mendova për herë të parë se vlera më e veçantë e tij qëndron tek mosndryshimi i personalitetit, për shkak të posteve të larta që ka mbajtur, veti që nuk para haset në viset tona arbërore.
U prehtë në paqe!