‘Digjet’ raundi i parë për zgjedhjen e presidentit, debate të ashpra te ‘Ligjet’

Raundi i parë për votimin e Presidentit i mbajtur ditën e sotme ka dështuar, pasi palët nuk arritën të propozonin asnjë emër për kandidatët.
Afati i fundit për propozimin e emrave ishte ditën e djeshme, ndërsa sot, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve opozita dhe maxhoranca janë përplasur në debate duke fajësuar njëra-tjetrën për ‘djegien’ e raundit.
Kryetarja e komisionit Klotilda Bushka, tha se raundi i parë konsiderohet i kryer pa votim, ndërsa për efekt të rregullore është miratuar një raport për t’ia paraqitur Kuvendit, ku konstatohet se nuk është paraqitur asnjë kandidaturë.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Ekelejd Alibeaj fajësoi socialistët për dështimin e raundit të parë, ndërsa tha se procesi është farsë dhe hipokrit.
‘Ky dështim i këtij raundi të parë, ky dështim qëndron mbi supet tuaja. Një orë e më parë duhet të mbani një qëndrim. Procesi ka qenë farsë, jo i sinqertë dhe hipokrit.’- tha Alibeaj.
Për zgjedhjen e kreut të Shtetit, Kushtetuta ka parashikuar pesë raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë prej tre të pestash, ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.
Debati i plotë Alibeaj-Bushka
Alibeaj: Këto mbledhje nuk janë rutinë, për të parë vetëm letrat. Është pjesë e një procesi, sa institucional aq edhe politik. Komisioni i Ligjeve luan rolin e saj. Përfitoj t’ju bëj me dije se cili është qëndrimi politik i PD. Nga ana jonë është bërë me dije që ky proces duhet të përmbushë dhe plotësojë disa kritere, për t’i dhënë shqiptarëve njeriun e tyre, kryetarin e shtetit. Për të dalë nga tradita jo gjithmonë e shëndetshme në përzgjedhjen e presidentit, përpara se të arrihet në një produkt të tillë ne kemi disa detyrime. Duhet të krijojmë një proces në sy të parlamentit. Do të duhet që mes palëve politike të jenë disa qëndrime që me realitet të krijohen në thelb. Qëndrimi ynë është bërë i ditur. Kushtetuta e Republikës përcakton që ky proces të zhvillohet në bazë institucionale. 84 vota përcaktojnë që opozita të ketë rol substancial. Maxhoranca si ka numrat dhe legjitimitetin për të vazhduar në mënyrë të njëanshme në përzgjedhjen e presidentit. Ne presim qëndrim nga maxhoranca. Jeni ju për zgjedhjen e presidentit sipas frymës së Kushtetutës? Ky dështim i këtij raundi të parë, nuk do të doja të bëja provokim, por qëndron mbi supet tuaja. Ju duhet të mbani një qëndrim. Përgjërimet e bëra nga përfaqësuesit më të lartë tuaja duken që kanë qenë farsë. Ne jemi gjithmonë në pritje të qëndrimit tuaj, për të parë se çfarë produkti do të dalë.
Bushka: Askush nuk mund të bllokojë një proces parlamentar. Unë jam në dijeni, si pjesë e konferencës së kryetarëve që u është bërë thirrje për të marrë pjesë në seancat. Nuk e di në ç’fazë jeni me diskutimet. Logjika është që ne si komision përveç qëllimit për t’i dhënë qëndrim të saktë kandidaturave. Dy detyra na jep kushtetuta është vlerësimi i kritereve, që kërkon që kandidati për President të jetë shtetas shqiptar nga lindja. Dy kritere janë të rëndësishëm e duhet të vlerësohen nga ne. E para ka të bëjë me rishikimin e pastërtisë të së kaluarës. Duhet të ketë integritet në përputhje me kriteret e parashikuara dhe duhet të jetë subjekt që nuk ndalohet për kandidim si ligj i dekriminalizimit. Ftoj palët të jenë më të përfshira, jo të jenë duke dhënë mend apo këshilla. Gjithsecili ta nisë nga vetja.