Konferenca në Varshavë/ Donatorët premtojnë 6.5 miliardë dollarë për Ukrainën

Donatorët ndërkombëtarë kanë premtuar 6.5 miliardë dollarë për të mbështetur Ukrainën gjatë një konference në kryeqytetin polak Varshavë.
“Sot kemi treguar se mbështetja jonë për Ukrainën vazhdon dhe se këtu nuk ka egoizëm mes nesh”, tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki gjatë fjalës së tij përmbyllëse.
Paratë u zotuan nga vende anembanë botës, si dhe nga bizneset dhe bankat.
Morawiecki tha se Ukraina ka nevojë për 12,000 ton ndihmë humanitare çdo ditë, por aktualisht përpjekja ndërkombëtare po siguron vetëm 3,000 ton, ndërsa agjencitë ndërkombëtare të ndihmës vlerësojnë se rreth 40% e popullsisë së Ukrainës ka nevojë për ndihmë humanitare.
Duke iu drejtuar konferencës përmes një video-mesazhi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi tre elementë të mbështetjes:
1. Burimet financiare për të mbështetur nevojat humanitare të qytetarëve ukrainas ndërkohë që lufta vazhdon
2. Përgatitja e një plani rindërtimi në shkallë të gjerë që do të ishte i ngjashëm me Planin Marshall pas Luftës së Dytë Botërore
3. Statusi i menjëhershëm i kandidaturës në BE për Ukrainën
Ukraina ka marrë mbi 12 miliardë dollarë në armë dhe ndihmë financiare që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, tha në konferencë kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal.