Nga “Zelensky dorëzohu” te “Putin dorëzohu”: Si po shkojnë negociatat Ukrainë-Rusi

Roman Romaniuk, Ukrayinska Pravda

Përktheu Klodjana Agaj

Bisedimet e paqes me Rusinë janë historia se si Ukraina ka kaluar nga dëshpërimi në vetëdijen për forcën e saj dhe rrethit të saj të aleatëve të vërtetë gjatë 70 ditëve të luftës.

“Nëse në ditën e parë të luftës do të kishim lejuar të nënshkruanim një version të marrëveshjes së paqes si ky që kemi tani, do ta kishim bërë pa u menduar. Por tani marrëveshja duket një kompromis për anën tonë”, tha një anëtar i rrethit të brendshëm të Presidentit Zelensky në një bisedë me Ukrainska Pravda.

Në përgjithësi, gatishmëria e Ukrainës për një formë të dorëzimit taktik në orët e para të sulmit i ka lënë vendin përpjekjeve të para për të përshkruar humbjen e ardhshme të Rusisë.

Është e qartë se njohja publike e skenarëve të tillë do të ishte një hap shumë i guximshëm për ekipin e Zelensky tani. Por në kabinetet e Presidentit kjo rrjedhë nuk diskutohet më si fantazi, por si reale. Ose, për të qenë më të saktë, një gjë që Ukraina mund ta bëjë realitet.

Besimi i Zelensky në këtë komplikohet nga dy ndryshime të mëdha në politikën globale.

Së pari, miti i “fuqisë” së Vladimir Putinit dhe ushtrisë së tij po dërrmohet gradualisht në periferi të Irpin dhe Rubizhne.

Së dyti, izolacionizmi i Perëndimit dhe ngurrimi i tij për të ndihmuar vërtet Ukrainën janë varrosur përfundimisht në varrezat masive të Bucha, Borodianka dhe Mariupol.

Ukrainska Pravda zbuloi se si këto dy ndryshime po ndikojnë në rrjedhën e bisedimeve të paqes me Rusinë, kush po flet me kë dhe se si vizita emergjente e Boris Johnson ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve.

72 orë për t’u dorëzuar

Vladimir Putin duhej të pushtonte Ukrainën në 72 orë. Ukraina kishte vetëm një mundësi – të dorëzohej.

Këto dy fjali të thjeshta mund të përmbledhin pikën fillestare të luftës ruso-ukrainase dhe, në përputhje me rrethanat, bisedimet e paqes.

Për ata që dyshojnë në vërtetësinë e tyre, duhet të sqarohet se ishin partnerët tanë nga Perëndimi, jo Kremlini, ata që raportuan këtë skenar për Kievin dhe Zelensky.

“Kështu që ju e kuptoni, Zelensky mori ofertën e parë për të lënë Ukrainën dhe për të formuar një qeveri në mërgim përpara luftës në shkallë të gjerë. Kjo ofertë iu bë sinqerisht presidentit gjatë konferencës së Mynihut. Dhe ata thanë se ishte më mirë [për Zelensky] të mos të kthehet në Ukrainë”, tha në konfidencë një anëtar i delegacionit në Mynih për Ukrainska Pravda.

Zelenskyit iu kërkua të zgjidhte Varshavën, Londrën, ose ndonjë vend tjetër për “rezidencën” e tij. Për habinë e të gjithë partnerëve, presidenti u kthye në Ukrainë.

“Kam ngrënë mëngjes në Ukrainë këtë mëngjes dhe do të ha darkë në Ukrainë”, tha më pas Zelensky, duke tronditur audiencën në takim, ndoshta jo më pak se me fjalimin e tij të famshëm që kritikonte Perëndimin.

Pozicioni i partnerëve ishte i kuptueshëm: ata dinin për përgatitjet e Putinit, ata dinin për planet e ushtrisë së tij, ata e dinin se çfarë misionesh po dërgoheshin në zarfe shtabi për komandantët e niveleve të ndryshme në grupet taktike të batalionit 120 sulmues të mbledhur rreth Ukrainës. Dhe ata “e dinin” se Ukraina nuk kishte një shans.

“Fillimisht nuk i dinim planet e sakta të Federatës Ruse. Por kur kapëm dokumentet e shtabit nga komandantët rusë të vdekur pranë Kievit, ne kuptuam gjithçka. Aty shënohej gjithçka – kur dhe ku duhet të ishte grupi i caktuar dhe elita. Parashutistët duhej të pastronin lagjen qeveritare në Kiev brenda 72 orëve. Të njëjtat 72 orë për të cilat na kishin thënë të gjithë partnerët tanë”, shpjegoi një nga “oficerët e sigurisë” më të lartë të Zelensky në një bisedë me Ukrainska Pravda.

Kaloi një ditë, kaloi dita e dytë dhe e treta – dhe Kievi ishte ende në këmbë. Pyjet rreth kryeqytetit ishin mbushur me armaturë të djegur ruse dhe kufoma ushtarësh – dhe Kievi ishte ende në këmbë. Fushat ajrore të Hostomel dhe Vasylkiv ishin në flakë, helikopterët rusë po fluturonin dhe po binin – dhe Kievi ishte ende në këmbë.

“Përfundimisht, në ditën e tretë, ne ndjemë, ndoshta edhe e kuptuam, se do të mbijetonim. Se ne e kemi forcën. Vetëm në ditën e tretë patëm kohë të dilnim nga streha për herë të parë” , tha një përfaqësues i lartë i ekipit presidencial.

Dhe vetëm pas ditës së tretë, në mëngjesin e 27 shkurtit, Rusia dhe Ukraina njoftuan fillimin e negociatave.

Megjithatë, Arakhamia & Co [delegacioni] përmbushën detyrën kryesore të Presidentit: u vendos kontakti me Vladimir Medinsky [kryenegociatori i Putinit] dhe, duhet thënë, është në vazhdim.

Edhe pse ky kanal zyrtar negociatash nuk është i vetmi që punon për një traktat paqeje me Rusinë. Një tjetër pjesëmarrës në bisedimet Kiev-Moskë – në prapaskenë – është miliarderi rus Roman Abramovich.

“Roman ka qenë gjithashtu në kontakt me Arakhamia. Avantazhi i tij është se ai është ndoshta i vetmi që ka qasje të drejtpërdrejtë me Putinin. Ai [Putin] takohet personalisht me të kudo që të jetë. I gjithë delegacioni zyrtar [rus] ka parë vetëm shefin e tyre në TV, Medinsky mund të flasë me Putinin – por vetëm në telefon”, thotë burimi i Ukrainska Pravda në Bankova [rruga ku ndodhet Zyra Presidenciale në Kiev], i cili është i njohur me negociatat.

Një histori interesante në lidhje me nivelin e aksesit të Medinsky ndaj Putinit u tregua nga botimi investigativ rus Proekt, i themeluar nga ish-gazetarët e Dozhdit [Dozhd, i njohur gjithashtu si TV Rain, është një kanal televiziv i pavarur rus që u mbyll më 1 mars 2022 nga qeveria ruse]. Sipas Proekt, pas fjalimit të famshëm për Marrëveshjen e Stambollit, kur Medinsky filloi të distancohej nga propaganda zyrtare për t’iu përmbajtur objektivit zyrtar të qeverisë, ai u përpoq të telefononte Putinin. Por telefoni nuk u hap për një ditë të tërë.

Meqë ra fjala, për Stambollin. Kjo është pika kyçe e bisedimeve ruso-ukrainase sot.

Pikat e marrëveshjeve të ngritura nga Medinsky pas takimit të Stambollit janë në fakt të vërteta.

“Ne pastruam të gjitha marrëzitë për “denazifikimin”, “çmilitarizimin”, gjuhën ruse e kështu me radhë. Aty vumë re se Ukraina nuk ishte gati të anëtarësohej në NATO në këmbim të garancive të ashpra dhe të qarta të sigurisë. U përgatit një kornizë për marrëveshjen.

Por atëherë delegacionet thjesht nuk mund të lëviznin më tej. Ne themi, djema, çështja e Krimesë dhe Donbasit ka të bëjë me statusin territorial. Askush këtu nuk është i autorizuar as të flasë për këtë. Le të takohen presidentët dhe të vendosin se ku të shkojnë. Na duhet një takim mes liderëve”, tha një nga burimet nga Bankova.

Ky takim ishte pothuajse i përgatitur. Pas humbjeve shumë të rënda pranë Kievit dhe në veri, pas muajsh rrethimi të pasuksesshëm të Chernihiv dhe Kharkiv, dhe pas sanksioneve të ashpra perëndimore, Rusia ka nevojë të dëshpëruar për një marrëveshje me Ukrainën.

Ka një arsye pse ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov po e bën të qartë se ajo që dëshiron Rusia është e vlefshme, duke thënë se Rusia po negocion me Ukrainën për të hequr sanksionet. Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për ta.

Perëndimi, përmes kancelarit gjerman Olaf Scholz, dha një përgjigje të prerë – askush nuk do të heqë sanksionet ndaj Rusisë nëse nuk ka një marrëveshje me Ukrainën.

“Boris Johnson”, ose “Ushtroni presion” ndaj Putinit

Pala ruse, pavarësisht se çfarë thotë dikush, mund të lexojë sinjale dhe në fakt ishte gati për takimin Zelensky-Putin.

Por dy gjëra ndodhën, pas të cilave Mykhailo Podoliak, një anëtar i delegacionit ukrainas, duhej të pranonte hapur se tani “nuk ishte koha” për një takim mes presidentëve.

Gjëja e parë ishte zbulimi i mizorive, përdhunimeve, vrasjeve, masakrave, plaçkitjeve, bombardimeve pa dallim dhe qindra e mijëra krimeve të tjera të luftës të kryera nga trupat ruse në territoret ukrainase të pushtuara përkohësisht…

“Si dhe çfarë mund të flasim me Putinin, nëse nuk mund të flasim me të për Bucha, Irpin, Borodianka apo Azovstal?…”

Hendeku moral, hendeku në vlera, midis Putinit dhe pjesës tjetër të botës është aq i madh sa që edhe Kremlini nuk ka një tryezë negociuese mjaft të gjatë për ta mbuluar atë.

“Pengesa” e dytë – shumë më e papritur – për marrëveshjet me rusët mbërriti në Kiev më 9 prill.

…

Sapo negociatorët ukrainas dhe Abramovich/Medinsky, pas rezultatit të Stambollit, ranë dakord për strukturën e një marrëveshjeje të mundshme të ardhshme në terma të përgjithshëm, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson u shfaq në Kiev pothuajse pa paralajmërim.

“Johnson solli dy mesazhe të thjeshta në Kiev. E para është se Putini është një kriminel lufte; atij duhet t’i bëhet presion, jo të negociohet. Dhe e dyta është se edhe nëse Ukraina është e gatshme të nënshkruajë disa marrëveshje për garancitë me Putinin, ata nuk janë. Ne mund të nënshkruajmë [marrëveshje] me ju [Ukrainën], por jo me të. Gjithsesi, ai do t’i shkelë të gjitha”, kështu e përmblodhi një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Zelensky thelbin e vizitës së Johnson.

Pas kësaj vizite dhe fjalëve të Johnson, ka shumë më tepër se një ngurrim i thjeshtë për t’u përfshirë në marrëveshjet me Rusinë.

Pozicioni i Johnson ishte se Perëndimi kolektiv, i cili në shkurt kishte sugjeruar që Zelensky të dorëzohej dhe të ikte, tani ndjeu se Putini nuk ishte vërtet aq i fuqishëm sa kishin imagjinuar më parë.

Për më tepër, ka një shans për ta “shtypur” atë. Dhe Perëndimi dëshiron ta përdorë atë.

Tre ditë pasi Johnson, tani pronari i lumtur i një gjeli Vasylkiv, u kthye në Albion me mjegull, Putin doli publikisht dhe tha se bisedimet me Ukrainën “kishin arritur në një rrugë pa krye”.

“Ne arritëm një nivel të caktuar marrëveshjeje në Stamboll, që ishte se garancitë e sigurisë për Ukrainën… nuk do të shtriheshin në territorin e Krimesë, Sevastopolit dhe Donbasit… Tani garancitë e sigurisë janë një gjë, dhe çështja e rregullimit të marrëdhënieve me Krimenë. Sevastopol dhe Donbas po shtyhen nga këto marrëveshje”, tha Putin.

Tre ditë më vonë, Roman Abramovich mbërriti përsëri në Kiev dhe Presidenti Zelensky deklaroi zyrtarisht se mund të kishte dy marrëveshje sigurie me Rusinë: njëra do të rregullonte vetë bashkëjetesën e Ukrainës me Rusinë, tjetra do të mbulonte vetëm garancitë e sigurisë.

“Moska do të donte të kishte një marrëveshje të vetme në të cilën të zgjidhen të gjitha çështjet. Megjithatë, jo të gjithë e shohin veten në të njëjtën tryezë me Rusinë. Për ta, garancitë e sigurisë për Ukrainën janë një çështje dhe marrëveshjet me Rusinë janë një çështje tjetër.

Rusia dëshiron që gjithçka të jetë në një dokument dhe njerëzit thonë: “Më vjen keq, ne pamë se çfarë ndodhi në Bucha, rrethanat po ndryshojnë”, tha Zelensky për mesazhin e Johnson ndaj Putinit.

Pas kësaj, procesi i negociatave dypalëshe u pezullua.

Palët duhej të vendosnin se si të bashkëpunonin përpara, si të përfshinin të gjithë garantuesit e mundshëm të sigurisë në negociata dhe kush do të ishin ata.

Dhe më e rëndësishmja, Ukrainës i është dashur të kuptojë vetë përgjigjen e pyetjes fatale: sa i gatshëm është Perëndimi të qëndrojë me Ukrainën në konfrontimin me Rusinë?

A nuk do të përfundojë Ukraina duke u mashtruar dhe shkatërruar, e lënë ballë për ballë me Kremlinin e zemëruar?

Nga përgjigja e kësaj pyetjeje varet edhe e ardhmja e negociatave, lufta dhe historia e Evropës së shekullit të 21-të./Alfa

Back to top button
LAJMET E FUNDIT