Patriarku i Rusisë Kirill, mes personave që do preken nga sanksionet e Bashkimit Europian

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, është mes individëve që do të përfshihen në raundin e gjashtë të sanksioneve të propozuara nga Bashkimi Europian, sipas dy burimeve që kanë parë dokumentet e plota.

Drafti i propozuar u është dërguar ambasadorëve përkatës për shqyrtim. Në këtë fazë, emrat mund të hiqen ose shtohen sipas gjykimit të shteteve anëtare, tha një burim i Komisionit të BE-së për median amerikane CNN.

Të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen propozoi një sërë masash që përfshijnë gjithashtu një ndalim të naftës ruse.

Në një intervistë këtë javë, Papa Françesku kritikoi Kirillin për qëndrimin e tij të deklaruar pro Rusisë për pushtimin e Ukrainës, duke e paralajmëruar atë që të mos bëhet “vegël e Putinit”.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kishës Ortodokse Ruse Vladimir Legoida, tha të mërkurën se sanksionet janë jashtë lidhjes me “logjikën e shëndoshë”, sipas asaj që raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

“Vetëm ata që nuk e dinë plotësisht historinë e Kishës sonë mund të kërkojnë të frikësojnë klerin dhe besimtarët e saj duke përpiluar disa lista,” tha Legoida.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT