PD në dorë të ‘Rithemelimit’/ Ja kush janë ‘të besuarit’ e Berishës për postet e rëndësishme në parti

Partia Demokratike tashmë ka kaluar në dorë të Komisionit të Rithemelimit, teksa ka nisur dhe ristrukturimi i saj.
Sali Berisha u kthye në krye pas 9 vitesh, teksa fitoi zgjedhjet përballë Ibsen Elezit, ndërsa para pak ditësh u votuan dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar. Ndërkohë, tashmë pritet që të plotësohen dhe disa nga postet më të rëndësishme, siç janë Sekretari i Përgjithshëm dhe dy nënkryetarët.
Deri më tani, nga të besuarit e Berishës, katër janë emrat më të lakuar, Belind Këlliçi, Agron Shehaj, Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi. Këta janë edhe katër emrat që dolën më të votuarit për të qenë pjesë e Kryesisë së PD.
Ndërkohë, krahas Sekretarit të Përgjithshëm dhe dy nënkryetarëve, me kandidatura alternative të premten, kur mblidhet edhe Këshilli Kombëtar i partisë, do të zgjidhen Sekretari Organizativ, Sekretari për Çështjet Ligjore, dhe Sekretariati Ligjor.