‘Presidenti’ përçan më shumë demokratët/ Alibeaj mbledh sot grupin parlamentar, Paloka njofton të premten Këshillin Kombëtar

Teksa kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj thirri një ditë më parë mbledhjen e grupit parlamentar të PD, për një qëndrim për zgjedhjen e Presidentit të vendit, Komisioni i Rithemelimit ka njoftuar se ditën e premte do të mbahet mbledhja e këshillit Kombëtar të PD.
Deputeti Edi Paloka njoftoi se në këtë mbledhje do të diskutohet në lidhje me zgjedhjen e kreut të shtetit, duke theksuar se Këshilli kombëtar i PD është i vetmi organ që mund të nxjerrë një qëndrim në emër të demokratëve.
“Komisioni i Rithemelimit, ka vendosur thirrjen e mbledhjes së parë të Këshillit Kombëtar të PD në datën 6 maj në orën 18:00. qëllimi përveç konstituimit të Këshillit Kombëtar , edhe përcaktimi i një qëndrimi politik të PD lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Mbledhja duhej mbajtur të paktën 5 ditë nga thirrja e Këshillit Kombëtar por për shkak të natyrës urgjente të çështjes që trajtohet, komisioni i Rithemelimit vendosi që të mbahet nesër pasdite.
Këshilli Kombëtar i PD është i vetmi organ i cili mund të përcaktojë qëndrimin e unifikuar të PD lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, pasi në bazë të statutit edhe të vjetrit e të riut, Këshilli Kombëtar i PD është organi më i lartë që drejton veprimtarinë politike të PD në periudhën mes dy Kuvendeve.”- tha Paloka.
Deri më tani, në negociatat me mazhorancën për zgjedhjet e Presidentit ka marrë pjesë Alibeaj me përfaqësues të tjerë nga PD, por jo nga Komisioni i rithemelimit, ndërsa nga PS janë shprehur se do refuzojnë çdo bashkëpunim me grupin e Sali Berishës.