“Procesi po shkon drejt fundit”/ “Topi” për zgjedhjen e Presidentit kalon te PS, Balla: Ja hapat që do ndjekim

Me tezaurimin e raundit të tretë për zgjedhjen e presidentit dhe të fundit që kërkonte konsensus mes palëve, tashmë ‘topi’ kalon në këmbët e Partisë Socialiste, e cila ka ‘luksin’ për ta zgjedhur e vetme kreun e shtetit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka treguar pas seancës së sotme parlamentare hapat që të majtët do ndjekin për këtë proces, ndërsa shtoi se ai është drejt përfundimit.
“E para në raundin e 4-t PS, do propozojnë një kandidat apo kandidate në varësi të një procesi që ne jemi duke e vijuar që prej datës 28 mars.
Një forcë politike serioze, bën dhe një proces paraprak përzgjedhës. Përgjatë këtij ne kemi identifikuar dhe vijojmë të identifikojmë kandidatura potenciale që përmbushin disa prej pritshmërive që kanë qytetarët. Ne duam që Presidenti apo presidentja në 5 vitet e ardhshme të jetë autoritet moral. Të mos jetë Presidenti PS por i gjithë shqiptarëve.
Kini pak durim e në ditët në vijim do jemi në komunikim dhe më të shpeshtë për gjithë zhvillimet. Ne brenda forcës tonë kemi rregulla që do i respektojmë, do bëjmë diskutim të gjerë e thelluar në kryesi, më pas në grupin parlamentar prej ku do merret dhe mbështetja si e kërkon Kushtetuta me të paktën 20 firma mbështetëse.
Në këtë rast PS ka 74 mandate dhe ajo që është me rëndësi është që ky proces po shkon drejt përfundimit”- tha Balla.