Pse hesht Berisha dhe çfarë strategjie ka grupi i tij për presidentin e ri?

Këtë të enjte (5 maj) në orën 17.000, Enklejd Alibeaj, ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të dalë me një qëndrim dhe ndoshta edhe për të hedhur në tavolinë një apo disa emra, për çështjen e presidentit të ri të Republikës.

Ky grup tani për tani, (deri në një vendim të Apelit të gjykatës së Tiranës për përkatësinë e statutit, vulës dhe siglën e partisë) është i vetmi i cili ka tagrin që të marrë pjesë në negociata me mazhorancën për këtë çështje.
Ky zhvillim (pra thirrja e grupit nga Alibeaj) vjen ndërkohë që Kuvendi 30 prillit e ka shkarkuar atë. Vetë Berisha fillimisht tregoi luajalitet me Alibeajn, duke e njohur si kryetar grupi. Por pasi ky i fundit e priti disa herë “me këmbët e para” në mbledhjet e thirrura ku i kujtonte se ishte “i paftuar e i përjashtuar”, ish- kryeministri e shpalli vegël të Bashës, të cilët së bashku punojnë për Edi Ramën.

Deklaratat e egra të Berishës kundër Alibeajt u finalizuan në Kuvendin e 30 prillit, ku atij “ju pre koka”. Por ky akt duket se nuk e ka shqetësuar Alibajn i cili ende është kryetari me letra në Kuvend i grupit parlamentar të PD-së dhe njëkohësisht, të paktën formalisht, ka nga prapa 34 deputetë të cilët bashkë me atë vetë refuzuan Kuvendin.
Nga ana tjetër kemi mazhorancën e cila as që lejon që t`ja zësh në gojë Berishën dhe grupin e tij, si pjesë e negociatave për presidentin e ri. Fatmir Mediu i cili është bërë pjesë e kësaj procedure, tentoi dje në Kuvend që ta fusë “nga dritarja” Berishën dhe grupin e tij, por Taulant Balla pa asnjë dilemë e nxori direkt “nga dera” sërish.
Në këtë situatë ende nuk ka një prononcim të qartë dhe zyrtarë nga ana e Rithemelimit, nëse do të marrin pjesë në mbledhjen e thirrur nga Alibeaj për çështjen e presidentit.

Disa zëra si Oerd Bylykbashi dhe Albana Vokshi, edhe mbrëmë u deklaruan kundër përfshirjes së Alibeajt (tashmë i shkarkuar) në negociatat për presidentin por nuk thanë, nëse do të marrin pjesë në mbledhjen e thirrur prej tij.
“Nuk mund ta përcaktojë mazhoranca përfaqësuesin e opozitës. Nuk mund të përdoret procesi për të krijuar ndasi në një proces që kërkon konsensus”, tha Bylykbashi në emisionin e Erla Mëhillit.
Kurse Vokshi po mbrëmë në emisionin ‘Debat’ tha se, Enkelejd Alibeaj, nuk është i mandatuar nga organet drejtuese të partisë, për të negociuar me mazhorancën për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Nuk është Edi Rama ai që përcakton se kush është opozita dhe se kush janë negociatorët. Ne e dimë që Rama me Bashën kanë një pakt, që vijon prej muajsh apo prej vitesh, por Kuvendi i 30 prillit tregoi se tashmë ka një opozitë të vërtetë”, tha ajo duke shtuar, se kemi të bëjmë me vazhdimin e një marrëveshje Basha-Rama për të dëmtuar PD.
Pavarësisht këtyre, ashtu siç e thamë më sipër, as këta dy deputetë dhe as të tjerët që i janë bashkuar Rithemelimit nuk janë deklaruar nëse do të marrin pjesë apo në këtë mbledhje të thirrur nga “i jashtëligjshmi” Alibeaj.
Ajo që bie në sy është sidomos fakti se Berisha pasi e anatemoi dhe e etiketoi si farsë mafioze procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, ka disa ditë që hesht.

Heshtja e tij, përkon me nisjen zyrtare të procesit në Kuvend. Pakkush e beson se Fatmir Mediu e kishte thjesht një dëshirë personale, kërkesën për futjen e Berishës në negociata.
Nga ana tjetër pavarësisht akuzave se emri i presidentit është paracaktuar me kohë nga Edi Rama, duket se Berisha ka kuptuar se nuk i intereson që të mbetet jashtë këtij procesi. Qoftë edhe duke shkuar (më gjasa kështu do të ndodhë) së bashku me deputetët ndjekës në takimin e thirrur nga Alibeaj.

Përveç kësaj nëse Rithemelimi vendos që të mos marrë pjesë (nëpërmjet grupit zyrtar parlamentar të PD) në këtë proces parlamentar dhe kushtetues, atëherë PD e rithemeluar, nis me Bojkot!
Por në vendimet Kuvendit janë dënuar të gjitha bojkotet e shkuara dhe është votuar, që kurrë nuk do të përdoret më kjo mënyrë e dështuar deri më tani (jo vetëm për zgjedhjet).

Pra jemi në një kurth, të cilin Berisha duhet që ta kalojë. Ndaj ka bërë një hap prapa për çështjen e Alibeaj dhe po hesht. Ndoshta edhe i intereson që ta përdor “presidentin e ri”, si një shans për të bashkuar (apo shpartalluar) grupin e deputetëve që nuk ju bashkua në Kuvendin e 30 prillit./Alfapress.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT