Raundi i dytë drejt ‘djegies’/ Kur do vijë emri i presidentit nga palët?

Ora 16:00 është afati i fundit që palët kanë për të depozituar propozimet për postin e presidentit të vendit, teksa nesër zhvillohet raundi i dytë i votimit.
Megjithatë, edhe ky raund, ashtu si i pari, pritet të ezaurohet pa emra, teksa maxhoranca dhe opozita janë larg konsensusit për zgjedhjen kreut të shtetit. Palët u tha se arritën një marrëveshje, që të ishte opozita ajo që propozonte emrat në 3 raundet e para dhe pastaj PS në dy të fundit, por gjithçka rezultoi se ishte një ‘keqkuptim i madh’.
Alibeaj propozoi një formulë sipas të cilës PD do të propozonte katër kandidatë dhe më pas maxhoranca përzgjidhte dy emrat që gëzojnë besimin më të madh.
Pas kësaj, një komision i përbërë nga 6 anëtarë, 3 nga PS dhe 3 nga PD, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur do i nënshtrohej procesit të votimit në seancë plenare.
Por kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla deklaroi në një konferencë për mediat se e gjitha ishte një keqkuptim pasi të majtët nuk do të japim firma për kandidatët e PD, duke mos pasur garancinë se emrat që ata do të sjellin në tryezë do të jenë të denjë për të drejtuar presidencën.
Sot Balla nga Fieri i bëri thirrje sërish Partisë Demokratike të reflektojë dhe mos i shpërdorojë orët e mbetura për propozimin e kandidatëve. Raundi i dytë skadon në orën 16:00, por PD është tërhequr nga zotimi për dorëzuar kandidatë me argumentin se PS shkeli marrëveshjen.
Me djegien e raundit të dytë dhe të parë, mbetet vetëm një mundësi e fundit për të zgjedhur presidentin me konsnsus, pasi deri në raundin e tretë kërkohet një shumicë votash prej 3 të pestash. Ndërkohë në dy të fundit, që janë parashikuar nga Kushtetuta, kreu i shtetit zgjidhet me një shumicë të thjeshtë, që Partia Socialiste e ka me 71 vota.