Sikur Koloseun ta marrin kinezët! Mirela Jorgo flet për marrëveshjen e Butrintit!

Kuvendi nisi shqyrtimin e projektligjit për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit, pa pasur akses në marrëveshjen e plotë. Deputetët denoncuan procesin si jotransparent, ndërsa Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se marrëveshja ishte klasifikuar sekret që të mos keqinterpretohej.
Në lidhje me këtë çështje, e ftuar në Dritare TV ishte juristja Mirela Jorgo, e cila tha se kjo marrëveshje është e rrezikshme për historinë e këtij parku.
“Parku i Butrintit është një park që para viteve 1990 ishte shumë i vështirë për t’u vizituar. Kjo sepse ndodhet në një pozicion strategjik të jashtëzakonshëm në raport me Italinë dhe Greqinë. Ndaj nuk duhet parë thjeshtë për menaxhimin e parave. Por gjithashtu duhet pasur parasysh edhe pjesa e historisë që na përket ne si shqiptarë. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan ka ndërhyrë në mënyrë të qëllimshme në ligjin për trashëgiminë kulturore duke ndryshuar paragrafë dhe duke i dhënë vetes të drejtën për të menaxhuar site kaq të rëndësishme arkeologjike.
Cilat janë rreziqet që Parku i Butrintit të menaxhohet nga një fondacion i huaj?
Ky fondacion mund të ketë të drejton t’ia japë dikur tjetër menaxhimin e këtij parku. Për shembull mund të ketë të interesuar fondacione greke, apo kineze. Pse Shqipëria nuk mund të menaxhojë parqe kaq të rëndësishme për ne nga ana arkeologjike?
Është njësoj sikur Koloseu të menaxhohet nga një fondacion kinez, apo Akropoli nga një fondacion serb. Nuk ndodh në asnjë vend që sitet natyrore arkeologjike të menaxhohet nga fondacione të huaja.
Gjithë kjo luftë e madhe bëhet për paratë, pasi gjenerohen shumë para nga biletat në Butrint. Por rreziku nuk përfshin vetëm përfitimin e të ardhurave, por edhe interpretimet që mund të bëhen për historinë e Butrintit. Në bord di që janë dy përfaqësues të ministrisë dhe dy përfaqësues të AADF, gjithashtu një arkeolog anglez. Në disa shkrime të këtij të fundit thuhet se ky arkeolog e cilëson Butrintin qytet helen. Ky është rreziku më i madh që i kanoset menaxhimit të parkut të Butrintit nga të huajt”, u shpreh Jorgo në Dritare TV./L.F-dritare.net