“U vetëvar apo e vari xhelati”/ Berisha për vdekjen e Ilvi Metës: Nesër protestë para komisariateve

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë ditën e sotme në një konferëncë për media, ku ka folur për vdekjen e Ilvi Metës, në komisariatin e Kavajës.

Berisha ka hedhur dyshime për vdekjen e 27-vjeçarit, teksa tha se nuk mund të thotë nëse i riu u vëtëvar apo e vari xhelati. Berisha kërkoi dorëheqjen e ministrit të brendshëm Bledi Çuçi, ndërsa theksoi se do t’i propozojë sot Komisionit të Rithemelimit që nesër para të gjitha komisariateve të Shqipërisë në orën 8 të ndizen qirinj në një protestë të heshtur paqësore, për t’i thënë stop vrasjeve në Komisariate.

“Ilvi Meta humbi jetën në rrethana misterioze në qelitë e zeza të narko-komisariatit të Policisë Kavajë. Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje këtë tragjedi njerëzore. Një i ri, që merret për shoqërim apo i arrestuar në qelitë e komisariatit, kjo presupozon se ai hyn në vendin më të sigurt për jetën e tij dhe s’mund të ketë vend tjetër më të sigurt.

Autopsia tregon shenjë laku, vetëvarje apo e vari xhelati këtë nuk e di. Nuk mund të akuzoj njeri, por nuk mund të konfirmoj se vrau veten. Ilvi, sipas dëshmive, ishte një djalë i hedhur pa asnjë lloj shenje të problemit më të vogël psikologjik apo psikik. Ai u arrestua me një provë absolutisht të paqëndrueshme

Duke dënuar këtë qëndrim ç’njerëzor të drejtuesve të shtetit, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Çuçi. Ndërkohë unë do t’i propozoj sot Komisionit të Rithemelimit nesër para të gjitha komisariateve të Shqipërisë në orën 8 të ndizen qirinj në një protestë të heshtur paqësore, për t’i thënë stop vrasjeve në Komisariate.

U bëj thirrje komisionit të të drejtave të njeriut dhe OKB komitetit anti-torturë të KE me urgjence dhe procedura të përshpejtuara të ushtrojë çdo kontroll mbi institucionet e vuajtjes së dënimit dhe në organet e policisë, në mënyrë që të marrin fund dramat në dyert e qelive dhe të komisariateve. Qëndrimet e këtyre qeveritarëve që nuk kanë asnjë ndjeshmëri për jetët njerëzore. As për djegiet për së gjalli siç ndodhi në Kamëz. As për jetën e fëmijëve. Këto po arrijnë nivele diktatoriale, të Rusisë së Putinit.”- tha Berisha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT