Unë nuk mund të pajtohem me një shtet që për së gjalli i vret i pari shërbëtorët e ligjit

Nga Anila Hoxha
Unë nuk mund të pajtohem me një shtet që për së gjalli i vret i pari shërbëtorët e ligjit. E mandej i vret krimi , e mandej po ky shtet që i kishte mohuar i zhvarros për ti shpallur Dëshmorë të Atdheut.
Unë nuk mund ta harroj Artan Cukun, kur e takova mbasi e hodhën poshtë të vetët dhe sytë i shkëlqenin nga dhimbja, për atë polici që e mohoi dhe e damkosi sa ishte gjallë.
Unë nuk mund ta harroj Dritan Lamajn që u vra ne derë të shtëpisë si Cuku e po ashtu të kryqëzuar , e të hedhur mish për vrasësit që bënë show me plumbat më derën e shtëpisë së tij.
Unë nuk mund ta harroj Dritan Lamaj , kur heshtën të vetët shefa e madhorë ministra e dreqër , teksa nëpër Tiranë shpërndaheshin fletërrufe dhe kurrkush nuk lëvizi një grimë për të parandaluar vrasjen e tij. U gjeta vetëm dhe atëherë dhe e përqeshur kur raportoja për Lamajn dhe fletërrufetë nëpër Tiranë.
Se ai ish armiku i ditës
Më pas vendin e armikut e zuri Artan Cuku dhe po të raportoje për të drejtat e policit të hedhur në rrugë , sërish qe krim !
Si Lamaj dhe Artan Cuku do prehet prej sot ne varrezat e dëshmorëve, por a ka vërtet vlerë medalja ne gjoksin e të gjallëve kur Artan Cuku vdiq i tradhtuar.
Si mund ti harroj ato fytyra që i tradhtuan, nuk i mbrojtën, nuk e thanë asnjë fjalë?
A ka vlerë nderimi përpara tij apo Dritan Lamaj, kur edhe ai u hodh poshtë dhe u vra nga tradhtia e të vetëve.
Kush mbajti përgjegjësi për këtë tradhti, për vrasjen e tyre nga ata firmëtarët, transferuesit, reformuesit, pastruesit, policzbatuesit?
A ka vlerë të jesh polic dëshmor , kur ferri i tyre sa janë gjallë nuk është me shumë krimi se sa shteti që ata i shërbyen?
Unë nuk mund të pajtohem me një shtet që të merr gjakun dhe te hedh ushqim të gatshëm, për ata që ti i bën armiq në emër të vendit tënd.
Unë nuk pajtohem me një shtet që hedh poshtë Ardit Mustafën; Gurali Brahimllarin, Idriz Mulkurtin; Anton Martinin, Elisabeta Imerajn, Bledar Maksutin dhe amniston të tjerë që as trimëri nuk treguan për te hetuar kriminelët, por gjithë jetën profesionale e mbështetën në cirqe procedurash e intrigash.
Nuk pajtohem me një shtet që i bën vettingun një prokurori si Maksuti për babain e vdekur , dhe jo atij që është gjallë. Që i bën vetingun taksave të bashkëshortit te Antoneta Sevdarit, përpara se ajo të lidhte kurorë me të dhe jo asaj !
Një proces hatërmbetjesh që jo pak herë e tall individin, e trajton si kriminel, e konsideron si lecke derisa ja jep konfirmimin . Apo te vulos” i paaftë” ose të deklaron si i tha shprehimisht njërit prej tyre gjatë javës së shkuar, gjatë seancës publike: ” fuck off” .
Apo si e shkarkuan për të treja kriteret prokuroren Elisabeta Imeraj duke numëruar me vetkënaqsi edhe komponentin e paaftësisë. Ti thuash e paaftë Elisabeta Imerajt, doktore shkencash , dhe 17 vjet prokurore është më tepër se keqpërdorim i forcës që merr nga detyra. Është tregues i hakmarrjes që thotë: po të dua unë edhe të vras gjithë çke , por po të damkos. Po të them je e paaftë. Magjistrate tjetra dhjetëra të burgosur vuajnë vendime fajësie nga hetimet e saj
Nga buron kjo arrogancë për të të shqyer dinjitetin, cili ligj e jep te drejtën e tejkalimit??
Si mund të quhet e paaftë një prokurore si ajo, apo si Anton Martini që ju dhanë emër krimeve të rënda si edhe Idriz Mulkurti që gjykoi vrasësin e 4 policëve teksa të tjerë frikeshin e shuheshin? Si mund të jetë e paaftë kur hetoi Shullazin dhe sa herë Imeraj nuk ishte prokurori tjetër sëmurej . Te tjerët u kacafytën , u operuan fiktivisht, bënë procedurë e shpikën zigzage. Nuk patën as burrëri dhe as aftësi të lexonin një aktakuzë ne emër të shtetit për terroristët , dhe të tjerë që sot janë me 41 biss. 4 prej tyre janë në këtë regjim nga hetimet e kësaj prokuroreje të paaftë!
Si mund t’ja vendosësh në shpinë një prokuroreje deri dje, paaftësinë, kur ajo shkërmoqi grupe , kur po asaj i vendosën truprojë nga mëdyshja se mos e eliminonin?
E paaftë është një lloj damke në formë plumbi, që ne këtë rast kryen një lloj tjetër vrasjeje.
Paçka se tradhtitë janë të gjitha njëlloj, nisin me mohim dhe përfundojnë me shpalljen armik deri ditën kur vdes , vetëm atëherë je i lirë nga shteti yt që s’të deshi!