Anulimi i vizitës së Lavrov në Serbi/ Vuçiç i pakënaqur: Histeri, ne marrim vendime të pavarura

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka shprehur pakënaqësitë e tij për anulimin e vizitës së ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, ndërsa tha se për këtë çështje ishte krijuar një ‘histeri’.

Lavrov pritej të vizitonte Beogradin zyrtar ditën e sotme, por gjithçka ndryshoi kur Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria nuk pranuan fluturimin e avionit të ministrit të jashtëm mbi qiellin e tyre, duke bërë që kjo vizitë të anulohej.

“Në shumë bisedime, Serbisë iu kërkua që ta anulonte vizitën”, tha Vuçiç, duke shtuar se Serbisë nuk iu lejua që të bisedonte me ministrin e Jashtëm rus.

Ndër të tjera, Vuçiç theksoi se Serbia do të mbajë politikën e saj “për marrje të vendimeve në mënyrë të pavarur”, por që duhet të përshpejtojë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

“Pres që Qeveria e re të udhëheqë fuqishëm rrugën drejt integrimit evropian, por edhe të mbajë politikën e pavarur”, tha ai.

Lavrov së bashku me Putinin janë në listën e sanksioneve të shumë shteteve perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës. Të vetmet vendeve në Evropë ku ata mund të udhëtojnë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, për shkak se këto vende nuk u janë bashkuar sanksioneve të BE-së.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT