“Dëgjoheshin britmat e fëmijëve”/ E moshuara rrëfen tmerrin e zjarrit që përfshiu pallatin gjatë natës në Astir

Flakët dhe tymi i madh që përfshinë një pallat në Astir ka shkaktuar panik te banorët, të cilët kanë nxitur të dalin jashtë për të shpëtuar. Një banore e pallatit tregoi për mediat se familja e saj ishte e para që doli jashtë dhe se në ndërtesë dëgjoheshin britmat e fëmijëve.

Gruaja rrëfeu se nusja e djalit të saj dëgjoi një shpërthim dhe më pas i zgjoi nga gjumi, teksa shtoi se zjarrfikësja erdhi me vonesë në vendngjarje.

“Djali ka shkuar ka hapur derën, por tymi mbërriti tek dera jonë. Atëherë tha: Mami shpejt, ti merr gocën dhe unë çunin, kemi zbritur. Shpëtuam, dolëm të parit. Britmat e fëmijëve dëgjoheshin. Zjarrfikësja nuk erdhi në kohë, kur ne zbritëm poshtë s’kishte zjarrfikëse. Dëgjuam një shpërthim, krisëm. E dëgjoi nusja, ajo më zgjoi mua. Unë do kisha ngelur aty, por shyqyr Zotit nusja e dëgjoi dhe na nxori përjashta, ka dëgjuar krisëm”, tha e moshuara.

Mësohet se zjarri i është vendosur një makine tip “Range Rover” parkuar në garazhin e pallatit. Mjeti është në pronësi të vëllait të biznesmenit S.Ll., i cili është dhe pronari i pallatit. Si pasojë e zjarrit, u plagosën 8 persona të cilët janë dërguar në spital.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT