FOTO/ Forcat Speciale RENEA garantojnë sigurinë e delegacionit në Ukrianë, Rama dhe Abazoviç në qytetin e shkatërruar të Borodiankas

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Malit të zi, shqiptari Dritan Abazoviç, ndodhen prej disa orësh në Ukrainë. Siç shihet dhe nga pamjet, nën masa të rrepta sigurie ata kanë udhëtuar në kryeqytetin Kiev dhe në qytetet e tjera përreth, të shkatërruara nga lufta.

Për sigurinë e delegacionit shqiptar në Ukrainë po kujdesen Forcat Speciale RENEA. Po ashtu, edhe kryeministri shqiptar i Malit të Zi shoqërohet nga forcat e tij të sigurisë, ndërsa të dy delegacionet kordinohen nga trupat e armatosura të Ukrainës.

Trupat e repartit elitë të Policisë së Shtetit shihen krah Ramës, ambasadorit të Ukrainës në Tiranë, ministres Elisa Spiropali dhe drejtorit për media në Kryeministri, Endri Fuga. Newsbomb.al mëson se efektivët më të përgatitur të Forcave Speciale janë nisur në Ukrainë, për sigurinë e kësaj vizite zyrtare.

Rama dhe Abazoviç janë të vetmit liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që pranuan të shkojnë në vendin e pushtuar në zemër të Europës, për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky dhe për t’i shprehur mbështetjen atij dhe popullit ukrainas, në luftën për liri.

Vizitën e parë pas Kievit, dy kryeministrat shqiptarë e kanë bërë në qytetin e Borodiankas. Një qytet 50 km nga kryeqyteti i Ukrainës dhe ndër të parët që u godit nga pushtimi i egër rus. Ndërtesa të shkatërruara dhe komplekse banimi të bëra njësh me tokën kanë parë Rama dhe Abaziviç në Borodianka.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT