Kajmaku u kap me drogë në Itali, Rama: Korrupsioni s’është zgjidhur në asnjë vend të botës

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në konferencën e parë antikorrupsion ka folur për arritjet që qeveria ka bërë në këtë drejtim. Sipas tij, korrupsioni nuk është zgjidhur në asnjë shtet të botës.

Kreu i qeverisë foli edhe për radhën e zyrtarëve të cilët kanë përfunduar para togave të zeza të drejtësisë, por pa përmendur emra. Konferenca Kombëtare e Antikorrupsionit u zhvillua sot, pikërisht një ditë pasi në Itali, ish-kryebashkiaku socialist Agim Kajmaku u kap me 20 kg kokainë, që e kishte fshehur në një vazo luleje.

Kreu i qeverisë solli në vëmendje se vetëm para pak vitesh ka pasur shumë arbitraritet, jepeshin para në dorë dhe nuk ka pasur transparencë.

“E pamë të udhës të shoqëronim nxjerrjen e raportit antikorrupsion me këtë konferencë sepse besojmë që është e rëndësishme që të ndajmë me publikun edhe vështirësitë dhe të vendosim në një perspektive këtë sfidë të vazhdueshme e cila asnjëherë nuk mbaron, sepse në asnjë shtet të botës çështja e korrupsionit nuk është zgjidhur përfundimisht. Ne ndërkohë për të kuptuar se Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë ku korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt të tij me të.

Nuk ka qenë para 30 vjetësh, por ka qenë para pak vitesh koha kur të gjitha shërbimet jepeshin me kontakt fizik dhe kur për shërbimet me bazike, siç ishte pagesa e dritave qytetarët duhet të qëndronin në radhë që t’ju jepej mundësia që të paguanin kontributet e tyre.

Ka pasur arbitraritet të vazhdueshëm, mungesë cilësia dhe transparence dhe shumë para nën dorë edhe për të fituar shkollën. Nga ana tjetër për të kaluar në zemrën e sistemit, sistemi ishte i kapur nga kanceri i një drejtësie thellësisht të korruptuar, gjerësisht të kalbur dhe faktikisht të transformuar në një Pazar ku e drejta shitej ose blihej. Pavarësisht se brenda sistemit kishte njerëz të ndershëm tërësia e sistemit të bënte të pamundur”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT