“Më erdhi mesazhi pse ke hyrë në atë zonë”, gazetari flet për ekzekutimet mafioze në Shkodër

Gazetari Artan Hoxha ka folur sot për ekzekutimin mafioz të Naim Bajrit, dhe është shprehur se viktima ka qenë një shënjestër e lehtë për autorët sepse lëvizte i lirë e nuk ruhej.
Sipas tij, Lagja Dobraç ku ndodhi vrasja sot është e rrethuar me kamera, dhe për këtë gazetari solli një rast personal. Artan Hoxha tregoi se kur kishte shkuar në këtë zonë, në celular i kishin dërguar mesazh personat që kanë kamerat.
“Cilat janë ngjarjet pa autor? Janë ngjarjet që kanë të bëjnë me atentate mafioze si ky i sotmi. Ne dëgjojmë breshërinë, shohim ekspertët, mjekësinë ligjore dhe pas 1 ore shohim zjarrfikësin që fik një makinë. Dobraçi është i mbuluar me kamera. Ashtu është edhe Kirasi.
Më vinte mesazhi pse ke hyrë në këtë zonë. Ata kishin kamerat e veta, janë me salla operative. Janë me permanente se ajo e policisë. Kemi të bëjmë atje me organizime që kanë në përbërje struktura shumë të fuqishme monetare dhe brenda tyre kanë edhe ekzekutorë”, u shpreh gazetari në Abc News.
Më tej, Hoxha tha se ekzekutorët në Shkodër janë vendas, ndryshe nga qytetet e tjera ku pajtohen vrasës me pagesë. Sipas tij, kur autorët e këtyre vrasjeve nuk gjejnë dot kundërshtarin, vrasin familjarët e tyre.
“Në Shkodër ekzekutorët janë vendas. Ata i bëjnë vete sepse kanë hakmarrjen. Dhe hakmarrja duhet të jesh vetë, sepse ajo u jep një ndjenjë triumfi. Kur shteti nuk veron çfarë mendoni ju? Në momentin që ata nuk gjejnë njëri-tjetrin fillojnë dhe vrasin të afërmit, ata që janë më hallexhinjtë. Në 9 prill u plagos Admir Bilali, në makinë me të ndodhej edhe ëma.
Në 30 prill i bëhet atentat Dedë Pllanajt. Për fat të mirë ai përfundoi me plagosje. Kjo sot është vijimi i ngjarjeve. Kur nuk vepron shteti ata i zgjidhin vetë. Personi që është vrarë sot ishte në kafe, nuk ruhej. Pra është objektiv i lehtë për tu arritur. Viktima i sotëm është babai i Indrit Bajrit që u vra në 2001. Është një ngjarje që ka pasur dënim në atë kohë”, tregoi Artan Hoxha.