Plot 90 milionë euro borxh/ Shqipëria merr kredi nga Italia, ja për çfarë do të përdoret

Shqipëria do të lidhe një akt-marrëveshje me Italinë, për marrjen e një borxhi prej 90 milionë euro, për investime në vend.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendës-kryeministri Arben Ahmetaj, i cili foli për mediat pas mbledhjes së Këshillit të ministrave të mbajtur ditën e sotme.
Ahmetaj shpjegoi se si fillim do të merret një shumë prej 30 milion eurosh, e cila do të përdoret për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në veri të Shqipërisë.
Kjo do të pasohet me një tjetër kredi prej 30 milion eurosh, për sektorin e bujqësisë, kryesisht tek peshkimi. 30 milionshi i fundit, sipas Ahmetajt, do të shkojë për mirëmbajtjen dhe rifreskimin e flotës së emergjencave civile.
“Një shumë prej 30 milion eurosh për rrjetin e energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë. Pjesë e angazhimit prej 90 milion euro kredi. Do pasohet me 30 milion tjetër për kredi për peshkimin dhe 30 milion tjetër për rifreskimin për flotën e emergjencave civile.” tha Ahmetaj.