“Ramës nuk i hyn asnjë ‘gjemb’ në këmbë”/ Mërtiri: Berisha po nxiton të marrë partinë e tij

Me rikthimin në krye të Partisë Demokratike, dhe zgjedhjen e strukturave të saja drejtuese, ish-kryeministri Sali Berisha e drejtoi ‘luftën’ e tij kundër Edi Ramës teksa deklaroi se tashmë do punojë për ta rrëzuar qeverinë e tij.
I ftuar në emisionin Zona Zero me gazetarin Thimi Samarxhiu, Ergys Mërtiri deklaroi se në fakt, të gjitha përpjekjet e Berishës brenda PD-së janë të orientuara për të marrë dhe mbajtur sa më gjatë partinë, dhe sipas tij në kushtet ku ndodhet PD sot, Rama nuk mund të rrëzohet.
“Është e kuptueshme që zoti Berisha nuk ka kohë të humbë me diskutime. Ai po nxiton për t’i vënë gjërat në kushtet e faktit të kryer, që kur Gjykata të kujtohet të marrë vendimin, tashmë do të jetë vonë dhe presioni mbi Gjykatën do të jetë shumë i madh, sepse çdo gjë do të jetë bërë fakt. Berisha ka nxituar të paktën që prej 6 marsit, që kur ka nisur procesi në Gjykatë. Nuk ka kohë të dëgjojë strukturat, sepse halli i tij nuk është te organizimi i partisë, por te mundësia për të marrë dhe për ta mbajtur partinë. Ky është problemi themelor që karakterizon çdo veprim që bën Berisha.
Ai nuk po bën opozitë ndaj Ramës, por ndaj vetës. Nuk është kundër Ramës orientimi i tij, por kundër “AliBashës”, sepse mendon se po bëjnë një komplot brenda PD-së për të sabotuar për të prishur PD-në. I gjithë orientimi i tij është ndaj armikut të brendshëm. Ai s’ka çfarë t’i bëjë Ramës, sepse me çdo lloj gjëje që të bëjë, çfarë do lloj magjie të shpikë, me këto kushte që është katandisur PD, Ramës nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë. E vetmja gjë që mund të bëjë ai është lodrojë me politikën të tallet, sepse është shumë komod në kolltukun e tij. Berisha nuk është aq realist sa ta kuptojë këtë. Aksini i Berishës brenda PD është për të marrë partinë e tij. Jo për të rrëzuar Ramën.
Do ishte çmenduri që Berisha ta mendojë se në kushtet ku është ta bëjë këtë. Edhe në kushtet e tija më optimale, mbas humbjes me një milion shuplaka në 2013 nuk ka asnjë shans që ta mundë Ramën. “- deklaroi Mërtiri.