“Rusia është kërcënim”/ NATO shton trupat në lindje, ja ku do të vendosen Forcat e Armatosura Shqiptare (HARTA)

Teksa tensionet mes Rusisë dhe NATO-s vijojnë të rriten, në samitin që po mbahet në Madrid, liderët e aleancës e shpallën Moskën zyrtare kërcënimin më të madh ndaj paqes dhe sigurisë së vendeve anëtare, pas sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.
Aleanca vendosi unanimisht të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Evropën Lindore si dhe të shtojë numrin e forcave në gatishmëri të lartë nga 40,000 që janë aktualisht, në 300,000 trupa si pjesë e rishikimit më të madh të mbrojtjes së aleancës që nga koha e Luftës së Ftohtë.
Kjo do bëjë që të angazhohen dhe trupat shqiptare të Forcave të Armatosura, të cilat sipas hartës do të dërgohen me një mision ushtarak në Bullgari, ku në total do të jenë 1650 trupa. Në këtë vend, do të ketë vetëm trupa vendase, amerikane dhe shqiptare. Megjithatë, ende nuk dihet se sa ushtarakë shqiptarë do të dërgohen në Bullgari.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu ka publikuar në llogarinë e saj në Twitter edhe një postim grafik ku shkruan se në përgjigje të pushtimit rus në Ukrainë, NATO ka përforcuar prezencën e saj mbrojtëse në pjesën lindore të Aleancës më shumë trupa, avionë dhe anije luftarake.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg prezantoi te mërkurën edhe dokumentin e konceptit strategjik 2022. Shefi i NATO-s tha se po përjetojmë krizën më të madhe të sigurisë prej Luftës së Dytë Botërore.
Aktualisht Forcat e Armatosura Shqiptare janë të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në disa vende përfshirë edhe Letoninë. Shqipëria po jep kontributin e saj në Letoni me 21 ushtarakë EOD si pjesë e grup – batalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO (eFP) në bazën Adazi në Riga.