Sazani mes flakëve dhe tymit/ Rama publikon pamjet me helikopter nga ajri: Fatkeqësisht edhe kjo…

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ajri se si duket situata në Ishullin e Sazanit. Aty shfaqet kreu i Emergjencave Civile i cili po bën një vëzhgim me helikopter, ndërkohë që thekson se ende nuk është ndërhyrë për shuarjen e zjarrit nga ajri.

Kreu i qeverisë ka publikuar dhe mesazhin e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, që e ka postuar mbrëmjen e të dielës në rrjetet sociale.

Tek ky postim, ministri Peleshi tha se “ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre…”.

Ndërkohë që këtë të hënë, më 6 qershor, bëhen tre ditë që flakët kanë “pushtuar” ishullin e Sazanit dhe situata në terren ka agravuar.

Postimi i Edi Ramës:

Sazan – Rikonjicion nga ajri i vatrave të zjarrit

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi:
“Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje.
I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre…
Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT