Selia blu hap dyert/ PD ‘dërgon’ ftesa për qytetarët: Ejani na thoni shqetësimet personalisht

Partia Demokratike e drejtuar tashmë nga Komisioni i rithemelimit dhe Sali Berisha, po përgatitet për protestën popullore të paralajmëruar për t’u zhvilluar më 7 korrik.
Ditën e sotme PD ka publikuar një njoftim, se selia blu do të jetë e hapur gjatë këtyre ditëve për të gjithë qytetarët që duan të shprehin shqetësimet e tyre.
Në njoftimin theksohet se burra dhe gra, profesionistë etj, do të hyjnë në seli për të shpallur shqetësimet e tyre personalisht dhe jo përmes përfaqësuesve politikë.
Njoftimi:
Partia Demokratike me idenë e hapjes ndaj shoqërisë, dhe në përgatitje për frymën popullore të protestës së 7 korrikut, do të hapë selinë dhe foltoren e saj për shqiptarët.
Për herë të parë, të rinj e të reja, burra e gra, profesionistë dhe fermerë, njerëz nga të gjitha fushat e shoqërisë, do të hyjnë në seli për të shpallur shqetësimet e tyre personalisht, dhe jo nëpërmjet përfaqësuesve politikë.
Partia Demokratike, në kontratën e re sociale me shoqërinë, fton të gjithë shqiptarët që duan të ngrenë zërin, të na bashkohen çdo ditë në foltoren e selisë dhe më 7 korrik në shesh. Serinë e daljeve e hap sot Artemisa Halili, nëna e një fëmije 6 vjeç, stomatologe. Lidhja live në ora 11 nga selia e PD-së.