U propozua nga PS për postin e Presidentit/ Flet për herë të parë Bajram Begaj: Nëse votohem premtoj se…

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj ishte kandidatura e dalë nga maxhoranca për postin e presidentit të vendit.
Pas publikimit të emrit të tij, Begaj ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama në ambientet e zyrës së tij ku foli për herë të parë.
Ndër të tjera, Begaj premtoi se nëse do të votohet nesër do të përpiqet që të jetë në lartësinë e duhur të postit që do të mbajë. Ai tha se për një ushtarak nderi, detyra dhe Atdheu janë moto e punës.
“Është vlerësim shumë i madh të jesh President i një vendi. Do të përpiqem të jem gjithmonë ai personi i duhur për atë çfarë përfaqëson ky post. Do të jem në lartësinë e detyrës dhe i përgjegjshëm në kryerjen e saj. Vij nga ushtria dhe nga mjekësia, janë të dyja profesione shumë të mira, shumë të përkushtuar kështu që besoj se edhe detyrën, nëse nesër do të votohem, do të jem i lumtur ta kryej me nder. Për ushtarakun, nderi, detyrat dhe Atdheu janë moto e punës. Besoj se do t’i përmbush me sukses dhe do të jem 27/7 në shërbim të kësaj motoje. Faleminderit!”- deklaroi Begaj.