Zyrtarët që e tjetërsua u arrestuan nga SPAK/ Prokuroria sekuestron tokën mbi 10 mijë m2 në Sarandë

Prokuroria e Sarandës ka vendosur sekuestro preventive për sipërfaqen e tokës prej 10 mijë metra 2 në Sarandë, e cila u tjetërsua nga zyrtarë e biznesmenë.

Sipas një njoftimi, mësohet se toka e sekuestruar ka sipërfaqe prej 10 230 m2 tokë, dhe ndodhet në zonën e njohur si Kanali i Çukës.

Në lidhje me tjetërsimin e kësaj prone, u arrestuan të mërkurën Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, Pandi Zhonga, juristja e ASHK Sarandë, Rovena Alikaj, dhe noteri Aleko Anagnosti. Ndërkohë, burime nga policia lokale sqaruan se janë ekzekutuar edhe urdhër-arrestet për shtetasit, Fredi Merkuri, Valter Llomi dhe Argonida Canaj të cilët janë përfitues te tokave përmes dokumenteve të falsifikuar.

Njoftimi:

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË SARANDË

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuader të procedimit penal Nr. 605 të vitit 2020, pas zbatimit të urdhërave të ndalimit, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Sarandë caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me pasuritë objekt hetimi, të cilat dyshohet se jane regjistruar në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara.

Gjykata e Rrethit Gjyqesor Sarandë me vendimin Nr.50 dt. 02.06.2022, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një siperfaqe toke prej 10 230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare.

Në vazhdim, organi i akuzës po vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhërave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ‘falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nënpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT