Dritan Hila: Ja kush e dorëzoi dosjen e Metës si spiun

Në rubrikën “Komenti i Ditës” në “Dritare TV”, gazetari Dritan Hila foli për një nga temat më të komentuara të momentit: përmendjen e Ilir Metës në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Zoti Hila tha se dosja me shumë mundësi ka ardhur nga aleatët, të cilët njëjtë si me Berishën i kanë tërhequr vërejtjen të tërhiqet nga politika dhe mosbindja e Metës nuk po u pëlqen.

“Berisha mund ta ketë dosjen, por problemi është që Sali Berishës nuk i intereson djegia e Ilir Metës në këto momente .

Ekziston një mundësi shumë e madhe që kjo dosje të jetë dorëzuar nga një shërbim aleat. Kjo ndodh sepse perëndimorët, kryesisht SHBA, ka marrë vendimin që kjo klasë politike shkon në shtëpi. Sali Berishën e kemi me dy non-grata, momenti është i Ilir Metës.

Ilir Meta mendohej se do shpalllej non-grata, por duke e bërë këtë i binte që gjithë klasa politike shqiptare është një klasë politike e mjerueshme. Edhe në këtë situatë, nëse del që Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, kushedi sa të tjera do vijnë nga mbrapa. Atëherë mbetet që menjëherë pasi zoti Meta doli dhe tha që do formojë partinë e re, të nesërmen pasi iku nga Presidenca, dikush u kujtua që t’i niste dosjen për t’i thënë që të tërhiqet.

Është e njëjta metodë që u përdor me Berishën. Menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit, Sali Berisha tha se këto zgjdhje ishin të vjedhura, nuk i njihte dhe do niste betejën në Parlament. Menjëherë pas kësaj erdhi shpallja e tij non-grata dhe kjo jo rastësisht.

Menjëherë Ambasada amerikane, Departamenti Amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian i njohën zgjedhjet si të ndershme dhe të vlefshme. E njëjta gjë ndodh me Ilir Metën, që premtoi një luftë me Edi Ramën. Mirëpo në situatën e luftës në Ukrainë, SHBA nuk do një luftë në oborrin e saj të pasëm.

Ilir Meta, në momentin kur premton trazirat, një dosje plotë premtohet që do zbardhet, për të treguar të vërtetën e tij që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Personalisht mendoj që ky veprim vjen nga aleatët tanë dhe nuk është një veprim i Edi Ramës. Po ta kishte në dorë këtë dosje, ndoshta do kishte dashur ta bënte këtë gjë por Edi Rama nuk ka trashëguar arkivën e Sigurimit të Shtetit.

As të mendosh që ia ka dhënë Gramoz Ruçi nuk qëndron, sepse as ai nuk e ka arritur arkivën. Ata që e kanë skanuar arkivën janë padyshim njerëz që kanë teknologjinë e nevojshme.”, u shpreh Hila.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT