E FUNDIT/ Kërcënim serioz për SULM TERRORIST, muxhahedinët shtyjnë samitin që do mbahej në Durrës

Pas kërcënimeve për një sulm të mundshëm terrorist, muxhahedinët e strehuar në Shqipëri kanë njoftuar shtyrjen e Samitit që do të mbanin më 23 dhe 24 korrik brenda kampit Ashraf 3, në Manzë të Durrësit.

Në një njoftim, thuhet se kërkesa për shtyrjen e samitit është bërë nga qeveria shqiptare, për shkak të kërcënimeve terroriste dhe komploteve të regjimit të mullahëve.

“Samiti Botëror i Iranit të Lirë i planifikuar për t’u mbajtur më 23 dhe 24 korrik në Ashraf 3, Shqipëri, shtyhet deri në një njoftim të dytë me rekomandime të qeverisë shqiptare dhe për shkak të kërcënimeve terroriste dhe komploteve të regjimit të mullahëve.”- njofton sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Njoftimi për shtyrjen e samitit vjen pas njoftimit të mbrëmshëm të Ambasadës së SHBA, që sqaronte qytetarët e saj se kishte sinjale të qarta për një kërcënim nga Irani lidhur me ceremoninë.

Samiti do të mbahej në kampin e muxhahedinëve iranianë, Ashraf 3, në datat 23-24 korrik. Kampi është ngritur në një sipërfaqe të konsiderueshme në Manëz të Durrësit dhe në të jetojnë 3 mijë muxhahedinë, që ndodhen në Shqipëri që prej vitit 2013.

Muxhahedinët konsiderohen grup terrorist nga Republika Islamike e Iranit dhe prej dekadash ndodhen në konflikt të hapur me pushtetin në Iran.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT