Ish-kryeministri i Spanjës: Kosova ishte obsesion i SHBA-ve

Ish-kryeministri i Spanjës, Jose Luis Rodriguez Zapatero, në një intervistë për mediumin spanjoll ‘El Dario’, ka thënë se sa ishte kryeqeveritar për dy mandate, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdimisht në takime ia kishin përmendur Kosovën.
Zapatero, i pyetur për vendimin e kryeministrit aktual spanjoll, Pedo Sanchez, që të mbështesë autonominë marokene dhe se a është në një linjë me SHBA-të, ka përmendur një përvojë me rastin e Kosovës.
“Unë gati tetë vitet sa isha në qeveri, nëse kishte një temë që nuk u shfaq kurrë në tryezën dialoguese, marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara, ishte tema e Marokut. E kujtoj mjaft mirë se Kosova ishte obsesion i madh i Shteteve të Bashkuara me Spanjën, për shembull. Sigurisht, Amerika Latine, Afganistani, Iraku, pa dyshim. Por jo, Maroku nuk ishte. Dhe nuk mendoj se është tani”, tha Zapatero.
Ndryshe, Spanja edhe pse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kryeministri i tanishëm i këtij shteti Pedro Sanchez, ka thënë se e përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Spanja ka një qëndrim konstruktiv dhe ne jemi të hapur për miratimin që do të mundësonte liberalizimin e vizave për kosovarët”, pati thënë Sanchez, në konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Evropian, të cilës i parapriu të enjten në mëngjes një takim në mes të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Përkundër mos-njohjes së shtetësisë së Kosovës, dhe refuzimeve të kamotshme të Spanjës të participojë në forume ku merr pjesë edhe Kosova, kryeministri spanjoll më 6 tetor deklaroi se tani “Spanja duhet të merr pjesë në të gjitha forumet”.
Ndërsa brenda spektrit politik spanjoll kanë shpërthyer akuza të mëdha ndaj shefit të ekzekutivit të Spanjës, për, siç shkruajnë ata, “shkëputje nga pozicioni i kamotshëm i Spanjës ndaj pavarësisë së njëanshme të Kosovës”.