Rama lobon për Kosovën dhe nuk i ndal sulmet ndaj BE-së: TURP për ju, shqiptarët e Kosovës ende kanë nevojë për vizë për të hyrë

Në intervistën për gazetën gjermane ”Frankfurter Rundschau”, Kryeministri i vendit Edi Rama është pyetur dhe në lidhje me raportet Shqipëri-Serbi. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka thënë se ka marrëdhënie të mirë personale më Presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Pyetje: Beogradi kohët e fundit është kthyer sërish drejt Rusisë. A ju shqetëson kjo?
Edi Rama: Historia bën diferencën. Kemi vuajtur shumë nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Kjo është arsyeja pse ne jemi pro amerikanë. Serbia ka një histori tjetër, por Beogradi nuk e mbështet në asnjë mënyrë luftën e Putinit. Por, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka një problem, pasi ekonomia e Serbisë është shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse.
Pyetje: A keni marrëdhënie të mira me të?
Edi Rama: Ne kemi një marrëdhënie të mirë personale edhe pse herë pas here nuk pajtohemi. Për shembull, ai thotë “e ashtuquajtura Kosovë”. Unë them “shteti i pavarur i Kosovës”. Ne tani i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në një mënyrë të civilizuar.
Gjatë intervistës, Kryeministri Rama është shprehur se pajtimi mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë do të marrë kohë.