“Taktika e Ramës me Spiropalin, si ajo e Skënderbeut me Vrana Kontin në rrethimin e Krujës”

Referuar debateve në Kuvend, analisti Lorenc Vangjeli zbërtheu për ‘Kontrast’ në Report TV ‘etjen’ e politikanëve për t’u krahasuar apo për të kompleksuar njëri-tjetrin me figurën e Skënderbeut.
Edhe pse për Vangjelin shumë prej shqiptarëve për një kohë të gjatë nuk do ta arrijnë dot kontributin e heroit kombëtar, ai tha se ‘taktikat’ e tij janë prezente në politikë.
Për këtë, ai solli në vemendje situatën ku Rama e ka futur Sali Berishën gjatë seancave të së enjteve, duke i vënë përballë ministren Elisa Spiropali.
“Në Tiranë kanë shumë qejf t’i referohen për shumëçka Skënderbeut dhe është normale dhe njerëzore kjo që të shihen majat. është trashëgimi më i madh që kemi ne nga historia. Për sa kohë as Skënderbeun dhe as mitin e tij nuk do ta arrijnë shumë nga shqiptarët për shumë arsye, edhe sepse miti nuk krijohet nën dritën e diellit apo shkëlqime në Instagram dhe puç-puç në Facebook. Por taktikat e tij i përdorin. Skënderbeu kur u rrethua Kruja vetë rrinte jashtë dhe linte brenda Vrana Kontin. Të njëjtën gjë po duket se po bën edhe Edi Rama.
Rri jashtë, qoftë si koncept fizik apo distancë, dhe brenda lë në rolin e të urtit dhe të moshuarit Vrana Konti një zonjë të re si Elisa Spiropali. Do të shikojmë një përballje mjaft interesante ne Parlament. Dhe kjo ngjan sikur është oferta që u jepet shqiptarëve. Nga njëra anë Spiropali, nga ana tjetër Berisha…” – tha Lorenc Vangjeli në Report TV./m.j